Arbëri

Kurti-Lajçakut: Kosova e angazhuar për dialog që në qendër ka njohjen reciproke

Kryeministri Albin Kurti në takim me Miroslav Lajçakun ka thënë se njohja reciproke duhet të jetë në qendër të dialogut Kosovë-Serbi

Dialogu Kosovë-Serbi duhet të përmbyllet me marrëveshje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke, i ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, emisarit special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të premten në një takim në kuadër të Forumit Ekonomik të Delfit.

Sipas njoftimit nga Qeveria, Kurti ka thënë se integrimet evropiane dhe euroatlantike s’kanë alternativë dhe për këtë është e domosdoshme ndihma e Bashkimit Evropian.

“Në takim u bisedua për mbarëvajtjen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe hapat e ardhshëm në këtë proces. Kryeministri theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar për dialog parimor e të balancuar. Ai ritheksoi se nga ky dialog duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke”, thuhet në njoftim.

Për çështjen e targave të automjeteve, Kurti ka veçuar faktin se ka edhe dy javë larg afatit për marrëveshje për çështjen.

Po ashtu, sipas njoftimit, Kurti ka shprehur mirënjohjen për kontributin e BE-së për raportin midis Kosovës dhe Serbisë, paqen, stabilitetin e sigurinë rajonale.

Komunikata thekson se në takim është diskutuar edhe për pushtimin rus të Ukrainës dhe ndikimin e luftës në Ballkan e Evropë.

Takimet në nivel të lartë në dialog kanë munguar që nga vera e vitit 2021, ndërsa nga BE-ja kanë shprehur zhgënjim se procesi “nuk po ecën siç do të duhej”.

Ndërkohë, Lajçak në njoftimin pas takimit me Kurtin, ka thënë se tani është koha e duhur që të bëhet progres në marrëdhëniet Kosovë – Serbi.

“Pata një diskutim të rëndësishëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në margjinat e Forumit Delphi. Folëm për çështjet aktuale dhe hapat e ardhshëm në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Koha për progres është tani”, shkroi Lajçak në Twitter.