Arbëri

Të enjten në Kuvend diskutohet për sigurinë në vend

kryesia e kuvendit

Të enjten Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë për sigurinë. E një pas dy javësh do të mbahet një tjetër ku do të raportojë kryeministri, seanca të thirrura nga opozita.

Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, tha se të enjten “me kërkesë të AAK-së do të mbahet një debat në lidhje me gjendjen e sigurisë në vend, në veçanti me rrethanat në Ballkanin Perëndimor”.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet të raportojë në Kuvend për punën njëvjeçare dy javë më pas.

“Seanca e radhës do të jetë të enjten. Meqë Qeveria ka dështuar ta sjellë një raport për punën një vjeçare, mungon një transparencë dhe angazhim i kryeministrit në Kuvend për të prezantuar punën e Qeverisë. Ne e dimë që nuk ka shumë për të prezantuar më shumë kemi pasur regres dhe dështime por megjithatë kemi ftuar kryeministrin që jo në seancën e së enjtes por pas dy jave të vij dhe të sjellë një raport dhe të kemi një debat parlamentar”, ka thënë ai.

Tahiri shtoi se me mbledhjen e 40 nënshkrimeve do të formohet komision hetimor për abuzimet me paranë publike.

“Ne i kemi mbledhur 40 nënshkrime për formimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar në raport me abuzimet që kanë ndodhur me paranë publike, qoftë me blerjen edhe me prodhimin e energjisë. Dhe në kuadër të tij do të trajtohen edhe abuzimet e keqpërdorimet që kanë ndodhur së fundmi në KEK. Këtu do të zbardhen shumë parregullsi shumë abuzime që kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe. Çfarëdo abuzimi që mund të ketë ndodhë gjatë zgjedhjes së kryeprokurorit ne normalisht e dënojmë dhe nuk e përkrahim”, ka thënë Tahiri.