Arbëri

Vrasja e Tetajt, Ministria e Drejtësisë kërkon hetim urgjent për Odën e Avokatëve

Hetim urgjent nga Prokuroria e shtetit për drejtuesit e Odës së Avokatëve ka kërkuar Ministria e Drejtësisë.

Letra e avokatit Gani Kelmendi, drejtuar Gjykatës në Pejë, për tërheqjen e tij nga rasti i Shaban Gogajt, pas paralajmërimeve se mund t’i hiqet licenca, ka vënë në lëvizje edhe institucionet përgjegjëse.

Zv.ministri i MD-së ka thënë se u janë drejtuar Prokurorisë e Këshillit Gjyqësor për veprimet e fundit të OAK-së.

“Mbi bazën e kësaj ne kemi reaguar, ju kemi shkruar njëkohësisht edhe institucioneve përgjegjëse, si Prokurorisë së shtetit, Këshillit Gjyqësor, për ndërmarrjen e masave ligjore ndaj kryesuesve të Odës së Avokatëve dhe prokurorit disiplinor... Tash mbetet në dorën e Prokurorisë që të marrë masa urgjente në drejtim të zgjidhjes së kësaj lënde kaq të ndjeshme”, ka thënë Blerim Sallahu, zv.ministër i Drejtësisë.

Sallahu ka thënë se nuk do bashkëpunojnë me OAK-në, derisa kjo e fundit të tërhiqet nga vendimi për mos dërgim të avokatit mbrojtës për Gogajn.

“Ne zakonisht nuk kemi kontakte me Odën e Avokatëve, nuk do të kemi përderisa të zgjidhet njëherë e përgjithmonë kjo çështje, mbi bazën e gjithë këtyre pretendimeve tona që janë të drejta dhe që janë të argumentuara, me vendime që qeverisë”, shtoi Sallahu.

KOHA ka drejtuar pyetje në Zyrën e kryeprokurorit të shtetit, e atë të kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, nëse tashmë kanë nisur hetimet, dhe se çfarë do të ndodhë me OAK-në, por nuk kanë kthyer përgjigje.

Oda e Avokatëve nuk ka konsideruar të nevojshme komentimin e deklaratave të Sallahut, ndërkohë që kanë arsyetuar vendimin e tyre se kjo po bëhet për të mbrojtur dinjitetin e avokatëve, që përjashtimi i tyre të mos bëhet dukuri.

“Oda e Avokatëve të Kosovës i konsideron të panevojshme komentimet në rrjetet sociale të kujtdo qofshin, e as të deklarimeve të z. Sallahu, derisa disa herë kemi sqaruar kontestin rreth dërgimit ose jo të avokatit sipas detyrës zyrtare pranë Gjykatës Themelore në Pejë, pasi që vendimet e OAK kanë të bëjnë ekskluzivisht me mbrojtjen e dinjitetit të avokatëve gjithmonë me qëllimin që përjashtimi i avokatëve të mos bëhet dukuri/FENOMEN”, thuhet në përgjigjen e Odës së Avokatëve të Kosovës.

Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në një përgjigje për KOHËN, kanë theksuar edhe njëherë se në rast se Oda vazhdon shpërfilljen e vendimeve, të institucioneve kompetente, KGJK-ja do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore.

“Në rast se Oda vazhdon mospërfilljen e vendimeve të institucioneve kompetente, atëherë edhe KGJK do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore që i janë dhënë lidhur me këtë çështje në një nga mbledhjet e radhës”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

29-vjeçari Agonis Tetaj u vra në vendin e tij të punës në shtator të 2018.

Rasti u kthye në pikën zero, pas reagimit të babait të viktimës, i cili alarmoi institucionet dhe ambasadat në Kosovë, për shkak se prokurori i rastit në fjalën përfundimtare kishte vendosur ta rikualifikojë veprën penale nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia.