Arbëri

INPO: Qytetarët po i bartin pasojat e prokurimit jo të duhur në komuna

Pasojat e veprimeve jo të duhura në prokurim nëpër komuna po i bartin qytetarët, ka thënë Diell Haxhimusa nga Iniciativa për Progres të martën.

I ftuar në Interaktiv të KTV-së, Haxhimusa ka thënë se INPO-ja ka rekomanduar që plani i prokurimit të bëhet sipas legjislaturës, të mos iniciohen aktivitete që nuk janë në plan të prokurimit dhe për të cilat nuk ka fonde, plani i menaxhimit të bëhet sipas kritereve në Ligjin e Prokurimit Publik, si dhe vlerësimi të bëhet me profesionalizëm dhe integritet.

“Rekomandimet kryesore të Organizatës sonë në vazhdimësi janë që plani i prokurimit të bëhet sipas legjislaturës, sipas Ligjit të Prokurimit; të mos iniciohen aktivitete që nuk janë në plan të prokurimit; të mos iniciohen aktivitete për të cilat nuk ka fonde; plani i menaxhimit të bëhet sipas kritereve në Ligjin e Prokurimit Publik; vlerësimi të bëhet me profesionalizëm dhe integritet sepse çdo e metë apo vlerësim jo i mirë, në fund të çdo vlerësimi pasojat i bartin qytetarët, nëse jo në aspektin monetar, mjafton të mos e marrin shërbimin në kohën apo mënyrën se si është planifikuar”, ka thënë Haxhimusa.

Ai ka shtuar se INPO-ja ka rekomanduar që punët të kryhen sipas standardeve, pasi që janë vërejtur që në shumë punë ende pa përfunduar procesi, ka dëmtime apo lëshime.

“Raste të dëmtimeve të ndryshme që kanë ndodhur në terren e kemi një në Suharekë në qëndrimin tërëditor për pleq ku janë kryer disa pagesa edhe pse nuk kanë përfunduar punimet, kemi raste kur cilësia e shërbimeve ka qenë e dobët, sikurse një rast në Komunën e Prizrenit, ku është pranuar një automjet i zjarrfikësve, por nuk ka ardhur sipas specifikave. Ka ardhur një cilësi më e ulët”, ka thënë ai.

Sa i përket respektimit të komunave për prokurimin publik, Haxhimusa ka thënë se kjo nuk ndodh në vazhdimësi, e që arsyet nuk dihen.

“Në vazhdimësi publikojmë raporte sa i përket prokurimit publik. Në disa komuna ka përmirësime të dukshme, sidomos në pjesën e planifikimit e prokurimit, ndiqen rekomandimet e organizatës sonë. Në disa komuna nuk ka përmirësime, hezitojnë t’i marrin rekomandimet. Nuk e di pse, ndoshta ka mungesë stafi, ndoshta mungesë vullneti. Ne rekomandojmë që komunat t’i iniciojnë projektet e tyre përmes prokurimit publik, por një gjë e tillë nuk ndodh në vazhdimësi. Prej 20 komunave që i kemi monitoruar, 14 prej tyre kanë pasur aktivitete që janë iniciuar pa planifikim. E keqja e kësaj është se më pas nuk iniciohet një aktivitet që ka qenë i planifikuar”, ka thënë Haxhimusa.