Arbëri

“Pastrohet” sektori i sigurimeve

Që nga 31 marsi 2022 të gjithë siguruesit që ushtrojnë aktivitetin e sigurimeve në vend, janë në përputhje me kërkesat ligjore të Bankës Qendrore të Kosovës, ka njoftuar të martën ky institucion.

Në një komunikatë për media, BQK-ja ka thënë se viteve të fundit ka ndërmarrë një varg masash dhe reformash me qëllim që sektori i sigurimeve të jetë në pajtueshmëri me kornizën ligjore, pas problemeve të shumta të shfaqura që nga fillimi i funksionimit.

Sipas BQK-së, ndër vite sektori i sigurimeve në Kosovë është përballur me probleme, performancë jo të kënaqshme dhe mospajtueshmëri me kërkesat rregullatorë të parapara me legjislacionin në fuqi te disa garantues. Këtu si ndikues kanë përmendur: Aplikimi i tatimit në bruto primin e shkruar apo tatimin në qarkullim prej pesë për qind, detyrimin e sektorit të sigurimeve për kontribut ndaj Kryqit të Kuq me 1 për qind të bruto primeve, si dhe dëmet e shkaktuara nga automjetet e pasiguruara që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës.

“Derisa çështja e tatimit në qarkullim dhe kontributit për Kryqin e Kuq janë adresuar, automjetet e pasiguruara vazhdojnë të mbesin shqetësim për sektorin e sigurimeve”, ka thënë BQK-ja.

Për ta rregullimin e këtij sektori, BQK-ja ka thënë se ka ndërmarrë dhjetëra masa administrative, përfshirë edhe revokimin e dy licencave.

“Si rezultat i këtyre masave të ndërmarra, gjatë tri viteve të fundit aksionarët e disa prej siguruesve kanë injektuar kapital në vlerë mbi 16 milionë euro”, thuhet në njoftim të BQK-së që vazhdon se po ndërmerren veprimet përfundimtare për të liberalizuar tregun e produktit të autopërgjegjësisë. “Që nga data 4 prill 2022, në BQK janë duke qëndruar ekspertët e Bankës Botërore me të cilët do të dizajnohet modeli i ri i primit të bazuar në rrezik dhe udhërrëfyesi për solvencën 2”.