Arbëri

Gruri amerikan në tregun kosovar do të kushtojë më shtrenjtë

Kosova do të ketë mundësi të importojë grurë nga SHBA-ja nëse paraqitet nevoja për furnizim, pasi tregu është i çrregulluar si pasojë e luftës në Ukrainë. Nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kanë thënë se kjo do të hapë një perspektivë të re të bashkëpunimit tregtar Kosovë-SHBA, por kanë pranuar se si rezultat i distancës gjeografike në mes të dy shteteve, kostoja e transportit do ta diktojë edhe çmimin e grurit në tregun kosovar

Kosova nuk ka barrierë tregtare që të importojë grurë prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në rast të krizës për lëndën e parë të miellit.

Për shkak të luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, janë rritur shqetësimet se do të ketë krizë për grurë - pasi dy vendet e përfshira në konflikt eksportojnë rreth 30 për qind të grurit në tregun global.

Shumë shtete, përfshirë edhe Kosovën, i kanë shtruar kërkesë SHBA-së që t’i furnizojë me grurë në rast nevoje.

Kosova ka marrë përgjigje pozitive, ka thënë të martën ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

“Duke filluar me një kërkesë në Ambasadën Amerikane që të vendoset në listë, kemi marrë përgjigje pozitive që mund të jemi një prej blerësve nëse ka nevojë”, ka thënë Hajdari.

Por, gruri amerikan kur të shitet në tregun kosovar do të kushtojë më shtrenjtë, sipas kryetarit të Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka.

Kjo për shkak të transportit i ndikuar nga distanca gjeografike mes Kosovës dhe SHBA-së.

“Duhet të jemi realistë, kostoja e transportit do të duhej të ishte më e lartë, sesa nga vendet e tjera ashtu si edhe koha e liferimit meqenëse po flasim për transportin e mallrave në një distancë përtej Oqeanit Atlantik”, shtoi ai.

Që gruri amerikan do të kushtojë më shumë e ka përmendur të premten edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

Por, ai ka shtuar se në raste të krizës pyetje qendrore është “sa ka produkte” e jo “sa kushtojnë ato”.

“Ndoshta kostoja e transportit do të jetë më e lartë, mirëpo në kohë krize nuk pyetet shumë për çmim sa pyetet a ka produkte dhe a ka mallra dhe në këtë drejtim Kosova duhet të jetë e qetë dhe nuk duhet të brengosen për mungesë të këtyre produkteve strategjike”, ka thënë ai.

Megjithatë, pos furnizimit me grurë – një bashkëpunim i tillë për kryetarin e Odës Ekonomike Amerikane nënkupton zgjerim i bashkëpunimit tregtar ndërmjet Kosovës e SHBA-së.

Sipas tij, shumë shtete për t’i mbuluar nevojat e brendshme po ndalin eksportin.

“Lajmi i mirë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndonjë bllokadë ose pengesë për sa i përket eksportit të këtij artikulli esencial, pasi shumë shtete po vendosin pengesa me qëllim për sigurimin e sasive për nevoja të brendshme”.

Mbi këtë premisë, Safet Gërxhaliu ka shtuar se Kosova duhet gradualisht të pavarësohet ekonomikisht.

“Kosova duhet të jetë e qetë dhe nuk duhet të brengosen për mungesë të këtyre produkteve strategjike”, ka thënë njohësi i çështjeve ekonomike. “Por nga e tëra kjo duhet të mësojmë që të orientohemi në shfrytëzimin e potencialit bujqësor apo agrar në Kosovë dhe tokën ta punojmë me ndihmën e institucioneve dhe Kosova në mënyrë graduale të pavarësohet ekonomikisht”.

Sipas Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, vendi me sukses mbulon mbi 60 për qind të nevojave me grurë.

Pjesa tjetër, sipas Doganës, mbulohet kryesisht nga Serbia e kjo bëhet përmes ligjeve të tregut ku kompanitë e realizojnë procesin e importimit.

Por, bazuar në juridiksionin kosovar kur ka krizë edhe shtetit i lejohet ta kryejë procesin e furnizimit.

Ministria e Tregtisë nuk i është përgjigjur pyetjes nëse grurin amerikan do ta importojnë kompanitë apo në rast emergjent këtë rol do ta marrë shteti që ta kryejë këtë proces tregtar.

Bazuar në bursat ndërkombëtare, tregjet janë çrregulluar si pasojë e luftës në Evropë.

Kjo ka vënë në pah mundësinë e rritjes së eksportit amerikan.

Çdo vit SHBA-ja eksporton grurë me vlerë mbi 6 miliardë dollarë.

Filipinet, Meksika dhe Japonia janë tregjet kryesore të eksportit amerikan të grurit.