Arbëri

Shkelje ligjore gjejmë në të gjitha institucionet, thotë shefi i AKK-së

Drejtori i Agjencisë kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka thënë se shkelje ligjore ka në të gjitha nivelet e pushtetit në vend, përfshirë nivelin qendror, lokal dhe në institucione të pavarura.

“Nga ato që i kam parë në këtë periudhe nuk ka që ka ndonjë institucion i cili është kampion qoftë për mirë qoftë për shkelje, të gjitha institucionet janë të prekura nga pak, ka raste nga komuna, ka raste nga gjyqësori, ka raste nga prokuroria, ka raste nga ekzekutivi ka edhe nga institucionet e pavarura. Do të thotë nuk mund të them që një institucion është shumë më i mirë se sa ndonjë institucion tjetër apo që i zbaton shumë, shumë mirë legjislacionin që është fushë veprimtari e Agjencisë dhe që është ndonjë dallim shumë i madh”, ka thënë ai në emisionin “Betimi për Drejtësi” në KTV.

Buleshkaj, ka shtuar se kjo lidhet me së shumti me deklarimin e pasurisë pasi si agjenci e kanë si fushëveprimtarinë kryesore.

“Ndoshta për shkak edhe që puna kryesore e agjencisë është puna e deklarimit të transparencës së zyrtarëve, më shumë ka pasur raste që janë ndërlidhur me vonesa me deklarim të pasurisë së zyrtarëve, po ashtu edhe në lidhje me mossaktësi të këtyre deklarimeve, kemi pasur edhe raste potenciale të konfliktit të interesit të cilat është synuar të evitohen, por këto dy kanë qenë fushat kryesore”, është shprehur ai.