Arbëri

Gashi: Policia ka nevojë për reforma

Descriptive Text

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Bejtush Gashi, ka thënë se Policia e Kosovës ka nevojë për reforma të mëdha meqë “janë lënë pas dore” nga qeveritë.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmeti, ka deklaruar të premten se ka pesë vjet që nuk u janë blerë uniforma Njësisë Speciale.

“Për kah mosha, Policia e Kosovës është më e vjetra në rajon. Kjo do të thotë që ka nevojë për reformë. Ata që janë përgjegjës për sigurinë, shteti duhet të ketë kujdes për ta. Janë bërë vite që nuk është marrë asnjë vendim nga ekzekutivi për policët, qoftë për sigurime shëndetësore apo pensionim të parakohshëm”, ka thënë Gashi në “Interaktiv” të KTV-së.

Sa i përket policëve serbë që morën pjesë në Këshillin e Sigurisë në Serbi, Gashi shprehet se nëse ata kanë shkelur ligjin, duhet të përgjigjen para ligjit.

“Nga aspekti i përgjegjësive, kanë bë vepër për të cilën, në mungesë të hetimeve, nuk mundem ta përcaktojë nëse është vepër penale. Ata kanë bërë shkelje për të cilat duhet të përgjigjen. Duhet të zbatohet ligji. Nuk ka falje për ata që e shkelin ligjin”, u shpreh Gashi.

Gashi nuk e sheh të jashtëzakonshme punën që po bën Policia gjatë Qeverisë Kurti.

“Kjo është puna dhe përgjegjësia që ka Policia”, ka thënë Gashi.