Arbëri

Qytetarët të tmerruar nga sulmet e qenve endacakë

Descriptive Text

Qentë endacakë vazhdojnë të jenë problem për qytetarët, sidomos në Prishtinë. Për pasojat e sulmeve të tyre ndaj qytetarëve kanë rrëfyer mjekët e qendrave të mjekësisë familjare e edhe vetë viktimat. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se janë duke punuar për t’i dhënë fund këtij problemi. Të premten Komuna e Prishtinës së bashku me disa organizata kanë promovuar 18 qendra të ushqimit për qentë

Rrugën nga shtëpia për në punë, Fidan Imeri, çdo ditë e bënte me frikën se fëmijët e tij mund të jenë cak i sulmit të qenve endacakë. Por, pasditen e së shtunës së kaluar, ndërsa kalonte pranë Bibliotekës Kombëtare, ai u sulmua vetë nga disa qenë. Për pasojë ai mori lëndime të rënda dhe është duke u trajtuar në shtëpi. Një javë pas sulmit ai rrëfen tmerrin e përjetuar.

”Të shtunën, pasi e përfundova orarin e punës, isha duke shkuar në shtëpi. Aty kishte qenë, në gjuhën popullore, një llavë e qenve duke u përplasur ndërmjet vete, siç është e ditur se bëjnë luftë për territore. Pashë që janë të egërsuar dhe u ndala. Dy prej tyre mbërritën tek unë me shumë shpejtësi. Njëri prej tyre më kafshoi në këmbë. Unë u mundova me e sulmu edhe më pas erdhi tjetri, edhe me një moment më rrëzuan edhe më gjuajtën në tokë. S’e di sa kanë qenë, por kanë qenë shumë, njëri tentoi të më kafshojë në fytyrë, atë e largova, e tjetri filloi edhe sulmet në fytyrë dhe fyt. Gjatë atij tmerri njëri më kafshon në kokë dhe më tërheq”, thotë ai.

Sulmet si ky ndaj Fidan Imerit janë bërë përditshmëri. Në pjesët më të frekuentuara të Prishtinës, përfshirë edhe sheshet, është e pamundur të mos shihen grupe të qenve endacakë. Frikën e ndiejnë të gjithë ata që lëvizin në këto zona. E shumë nga qytetarët e sulmuar detyrohen të kërkojnë ndihmën mjekësore.

Dhe, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare është destinacioni që marrin qytetarët pasi sulmohen apo kafshohen nga qentë endacakë. Sipas mjekes Drita Peqani, numri i pacientëve është shtuar javët e fundit.

“Qentë endacakë po shtohen, gjithashtu edhe rreziku nga kafshimi i qenve dhe nga infektimi i tyre po shtohet vazhdimisht. Për arsye se ata jetojnë në kushte dhe ushqehen me mbeturina, atëherë edhe mundësia e infektimit pas kafshimit është e madhe”, shprehet ajo.

Mjekja Peqani tregon rrezikun që vjen nga kafshimi i qenve.

“Për shkak të ushqyeshmërisë nëpër rrugë, dhe pasi në jargët e qenve gjenden bakterie dhe viruse, atëherë edhe mundësia e infeksionit është shumë e madhe, sidomos dy sëmundje që janë më të rrezikshme nga kafshimi i qenit, është tetanusi dhe tërbimi”, thotë ajo.

Pavarësisht se ndër vite miliona euro janë ndarë nga Qeveria e Kosovës, trajtimi i qeneve endacakë vazhdon të jetë sfidë për institucionet. Komuna e Prishtinës së bashku me disa organizata kanë bërë 18 qendra të ushqimit, në lokacione të ndryshme në kryeqytet. Njërën prej tyre, që gjendet mes Kishës Ortodokse e Fakultetit të Edukimit, e vizitoi të premten kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Rama ka thënë se vendimi për të hapur pika ushqyese në zona të ndryshme të Prishtinës është marrë në bazë të studimeve, që, sipas tij, kanë treguar se i ndalin sulmet ndaj njerëzve.

“Në bazë të studimeve, aty ku ka pasur pika ushqyese, nuk ka pasur sulm ndaj njerëzve. Ne vazhdojmë ta analizojmë situatën dhe ta përmirësojmë situatën. Kemi shpallur gjendje të jashtëzakonshme në raport me qentë endacakë në Asamble, për të marrë vendime të shpejta. E kemi edhe Rregulloren që i shtyn të gjithë pronarët e qenve t’i regjistrojnë. Çdo qen që është në pronësi duhet të regjistrohet, në mënyrë që pronari të mbajë përgjegjësi në rast se e lëshon qenin pas një kohe. Problemi më i madh është që qentë mbahen të pasterilizuar në shtëpi private dhe më pas lëshohen, dhe ata e kanë aftësinë për shumim”, ka thënë Rama.

Rama ka bërë thirrje që edhe komunat e tjera, po ashtu edhe niveli qendror, të merren me këtë problem.
“Për arsye se vetëm Prishtina merret me këtë problem, e kemi pastaj problem me qentë që po vijnë nga komunat e tjera. Duhet të merren të gjitha komunat me këtë problem, po ashtu edhe niveli qendror”, u shpreh ai, duke treguar se tashmë janë ndarë 10 hektarë tokë për trajtimin e kafshëve, me fokus të qenve endacakë.

Komuna e Prishtinës në fund të vitit 2020 ka nënshkruar kontratë me vlerë mbi 100 mijë euro për ndërtimin e një strehimoreje për qentë endacakë në fshatin Hajvali.