Arbëri

Ekspertët u druhen precedentëve pas bllokimit të televizioneve e portaleve ruse

Descriptive Text

Ofruesit e shërbimeve të internetit kanë bllokuar disa portale të Rusisë me udhëzim të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike e Postare. Në Kosovë ka frikë se kjo mund të përdoret si precedent edhe për bllokimin e mediave vendore. Kjo drojë u ngrit në tryezën e Kosovo 2.0-s “Çfarë ndodh online, nuk qëndron online”. E kritikë ka në BE, ku shtetet anëtare dhe blloku evropian po akuzohen për censurë

Portalet ruse të Russia Today dhe të Sputnikut nuk hapen në Kosovë tek asnjë nga pajisjet e lidhura me IP-adresë të kompanive të licencuara të internetit. Me udhëzim të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike e Postare (ARKEP), ofruesit e shërbimeve të internetit i kanë bllokuar ato që nga e premtja. Por, këtë masë të ndërmarrë pa vendim gjykate e ka parë me drojë drejtoresha e Asociacionit e Mediave Profesionale Elektronike të Kosovës, Ardita Zejnullahu.
“Përveç kompetencave që i ka rregullatori, do ta cekja që edhe për çështjen e internetit apo bllokimit të uebfaqeve edhe në rastin e ARKEP-it gjithmonë jam ithtare e asaj që të shkohet përmes gjykatave, jo pa vendim të gjykatave që t’i mbyllë mediat e caktuara. Ma merr mendja, besoj që mund të shkaktojë precedent, ndoshta ne kemi përbërje shumë të mirë të rregullatorit, KPM-së, ndoshta edhe të ARKEP-it, nuk i di kush janë të gjithë anëtarët, por gjithmonë ekziston rreziku i ndryshimeve brenda institucioneve dhe këto raste të mbylljeve të keqpërdoren për raste të tjera”, ka thënë ajo.

Derisa ka theksuar se për bllokim mediumesh shtetet mund të thirren në arsye të sigurisë, kjo, sipas saj, duhet të bëhet pasi ato të monitorohen.

“Ekziston infrastruktura ligjore edhe në Kosovë por edhe në nivel... në secilin shtet evropian veç e veç, edhe direktiva e parasheh që në rast të gjuhës së urrejtjes, propagandës apo të gjitha atyre që i përmendi Violeta (Hyseni-Kelmendi, anëtarja e KPM-së), ekziston ajo ingerenca që ta bëjë mbylljen apo largimin, nëse e konsideron se është e rrezikshme për sigurinë e vendit. Unë gjithsesi që jam ithtare e asaj që secila mbyllje e secilit medium të vijë pas monitorimit që i është bërë atij mediumi në një periudhë të caktuar dhe pastaj, pasi të konstatohet... mandej të merren masat”, ka thënë Zejnullahu.

Por, në ARKEP thanë se zbatuan vetëm vendimin e Qeverisë dhe opinionin e Asociacionit të Rregullatorëve Evropianë.
“ARKEP-i është i obliguar të zbatojë politikat e Qeverisë së Republikës së Kosovës, andaj rrjedhimisht e ka lehtësuar zbatimin e Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr.13/68, të datës; 23.03.2022, lidhur me plotësimin e Vendimit të QrK nr. 01/64, datë: 25.02.2022 ‘Për zbatimin nga Republika e Kosovës të vendimeve të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për vendosje të sanksioneve ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë, në raport me situatën në Ukrainë’”, ka shkruar ARKEP në një përgjigje për KOHËN.

Në Kosovë, përpara se të bllokoheshin portalet, Komisioni i Pavarur i Mediave bllokoi edhe televizionet ruse të lidhura me regjimin e Moskës. Anëtari më i ri i Bordit të KPM-së, Jeton Mehmeti, ka insistuar që vendimi është i përkohshëm.

“Ajo që dua të them është se është një vendim i përkohshëm dhe është në përputhje me atë që e ka bërë Bashkimi Evropian për shkak të situatës së ndjeshme në Rusi, prandaj edhe merren këto vendime. Në momentin që ndryshon situata, kjo edhe mund të rishikohet dhe mund të ndryshojë”, është shprehur Mehmeti.
Ndërsa, lidhur me krijimin e precedentëve të mbylljes së televizioneve, anëtarja tjetër e Bordit të KPM-së, Luljeta Hyseni-Kelmendi, ka thënë se nuk ka parë diçka të tillë në institucionin ku punon.

“Rastet janë trajtuar gjithherë si specifike e janë analizuar në veçanti dhe nuk kemi, të paktën që nga koha kur unë jam KPM... nuk mbaj mend ndonjë rast që e kemi përdorur, pastaj ka shërbyer si precedent”, është shprehur ajo.
Edhe në vendet e Bashkimit Evropian janë ndërmarrë masa të këtilla.

Përfaqësues të Federatës së Gazetarëve të Evropës kanë thënë se i kanë bërë thirrje BE-së për sanksione ndaj oligarkëve, por jo ndaj mediave, pavarësisht se ato janë propaganduese. Derisa e ka quajtur politik dhe që prek të drejtën e medias, Ricardo Gutierrez, sekretar i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, ka thënë se në vendimet e shteteve për bllokimin e portaleve e ndalimin e transmetimit të televizioneve ruse ka censurë.

“Në demokracinë evropiane qeverive nuk i lejohet të mbyllin kompanitë mediatike, kanalet televizive, radiot. Kjo është punë e rregullatorëve dhe këtë veprim mund ta ndërmarrin pasi bëjnë hetim të madh, duke i rishikuar kushtet e licencave të tyre e kështu me radhë e nganjëherë nuk e marrin vendimin përfundimtar që është për ta mbyllur mediumin por, fillojnë duke shqiptuar gjoba nëse disa kushte nuk plotësohen. Në këtë rast qeveritë vendosën të censurojnë direkt në mënyrë arbitrare. Nëse e sheh rregullativën, është vetëm një faqe e gjysmë, nuk ka justifikim, s’ka studim, pa kushte e shpjegim të detajuar për situatën, pra kjo është me të vërtetë kundër rregullimit të medias në Evropë, sipas legjislacionit evropian për media, vetëm autoritetet e pavarura rregulluese”, ka thënë Gutierrez për KOHËN.

Censura, siç ka thënë ai ka marrë formë, pasi që në Holandë gazetarëve u ndalohet të përdorin çfarëdo citati, fotografie apo materiali tjetër të “Russia Today” apo “Sputnikut”.
“Tash ka rast të hapur nga “Russia Today France” në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë. Disa shtete të tjera do të përballen me raste të tjera ligjore, ky është rasti në Holandë, ku Asociacioni Kombëtar i Gazetarëve po mendon ta hapë një rast dhe sigurisht çështja nuk është të mbrohet “’Russia Today’ dhe ‘Sputniku’, nuk është qëllimi që të mbrohet dezinformimi dhe propaganda, çështja është ta mbrojmë lirinë e shprehjes në Evropë. Në Holandë, e dini, rregullatori u tha gazetarëve, pra gazetarëve të mediave holandeze që as që mund ta përdorin asnjë material të ‘Russia Today’ apo ‘Sputnikut’ as rreth mbulimit aktual që po ia bëjnë... Kjo është shumë shqetësuese. Mund të përballesh me ndjekje penale, vetëm pse ke përdorur material nga RT ose ‘Sputnik’”, ka thënë Gutierrez.

KOHA ka raportuar se si BE-ja ka bllokuar mediat propaganduese ruse në kuadër të sanksioneve që i ka vënë Rusisë pas nisjes së pushtimit të Ukrainës.
“Ka dallim në themel në mes të censurës dhe sanksioneve. S’ka të bëjë me mendime që censurohen. Kemi të bëjmë me mjete që po përdoren në mënyrë sistematike dhe të koordinuara në këtë luftë. ‘Russia Today’ dhe ‘Sputniku’ janë thelbësore dhe mjet i rëndësishëm që shtyn përpara agresionin e Rusisë në Ukrainë”, pati thënë Komisioni Evropian në një përgjigje për KOHËN.

Në tryezën e Kosovo 2.0-s “Çfarë ndodh online, nuk qëndron online”, ku u fol edhe për bllokimin e disa prej mediave të Rusisë, u rekomandua forcimi i vetërregullimit, i organizatave që verifikojnë faktet, por edhe investimi në edukimin mediatik.