Arbëri

SHBA-ja i del në ndihmë Kosovës për grurë

Descriptive Text

Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka treguar gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi se SHBA-ja ua ka pranuar kërkesën që ta furnizojnë Kosovën me grurë në rast se paraqitet kriza për miell dhe produkte të tjera që dalin nga kriza në Ukrainë. Opozita ka kërkuar nga ajo të tregojë se si Qeveria do të ruajë nga keqpërdorimet subvencionimin me 36 centë për një litër naftë për bujqit.

Edhe pse Kosova nuk ka varësi të grurit nga Ukraina, në rast se kriza vazhdon në këtë vend, një ndihmë për këtë çështje do ta marrë nga SHBA-ja.

Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, ka treguar se kanë marrë një përgjigje pozitive nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sa i përket importit të grurit në të ardhmen edhe nga SHBA-ja.

“Duke filluar me një kërkesë në Ambasadën Amerikane që të vendoset në listë kemi marrë përgjigje pozitive që mund të jemi një prej blerësve nëse ka nevojë”, ka thënë Hajari.

Që Kosova të mbulojë një pjesë të madhe të nevojave bujqësore, Qeveria ka ndarë 5 milionë euro për subvencionimin e naftës së bujqve.

E për këtë kryetari i Komisionit, Ferat Shala, e ka pyetur ministren Hajdari se çfarë do të veprojnë që nafta të mos keqpërdoret.

“Patëm veprime qeveritare që identifikuan që kemi pasur defekte në këtë sektor, a do të ishte më mirë që të kishim një shenjëzim dhe këto mundësi të mos u jepen atyre që të keqpërdorin?”, ka thënë ai.

“Ne nuk duhet ta marrim problemin te konsumatori, por duhet ta adresojmë problemin te hyrja në doganë. Kemi vlerësuar të gjitha aspektet e kualitetit të naftës dhe kemi ardhur në përfundim se kemi problem me hyrjen e naftës në treg”, është përgjigjur ministrja.

Gjatë këtij raportimi, Hajdari ka përmendur si suksese ngritjen e eksportit dhe të investimeve kapitale që, sipas saj, gjatë vitit 2021 investimet e huaja kanë shënuar rritje 52.9 për qind, krahasuar me një vit më parë.

Gjatë raportimit ministrja theksoi se gjatë vitit 2021 numri i ankesave të konsumatorëve ka arritur në 2.000 ose 300 për qind më shumë se viti paraprak.