Arbëri

Rreth 40 tonë mish u asgjësuan në tre muajt e parë këtij viti në Kosovë

Descriptive Text

Gjatë tre muajve të parë këtij viti, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka asgjësuar rreth 40 tonë mish. Vetëm në një rast janë asgjësuar rreth 38 tonë, ka deklaruar zëdhënësi i këtij institucioni Lamir Thaçi të martën për EO.

Ai ka sqaruar se ky aksion është bërë i mundur falë kontrolleve të bashkërenduara me Policinë dhe Prokurorinë e Shtetit.

“Në bazë të ligjeve në fuqi, inspektori menjëherë ka nxjerrë vendim për konfiskim dhe asgjësim të gjithë sasisë që është gjetur në këtë depo ftohëse dhe organet e tjera sigurisht kanë arrestuar personat përgjegjës dhe do të dërgohet fletëparaqitje për gjykatë, e pastaj gjykata është ajo që vendos për masën ndëshkimore ndaj operatorit të biznesit”, ka thënë Thaçi.

Thaçi paralajmëroi masa ndaj atyre që nuk e respektojnë Ligjin dhe rregulloret në fuqi, por edhe aksione të tjera me synim mbrojtjen e konsumatorëve.

“Në këtë fillim vit, rasti që është paraqitur ka qenë në regjionin e Pejës por nuk do të thotë që nuk do të ketë raste edhe në vende të tjera. Nuk mund të paragjykojmë se vetëm një regjion ka probleme por kudo që hasen ato, inspektorët do të jenë pa kompromis ndaj secilit rast që ka dyshime të bazuara që është duke u vendosur ndonjë produkt ushqimor në treg i cili nuk i plotëson kushtet”, shtoi ai.

Sipas zëdhënësit të AUV-it, qytetarët duhet të ndihen të sigurt pasi puna po zhvillohet gjatë tërë kohës, në terren, derisa shtoi se fusha e kontrollit ushqimor është fushë komplekse.

“Ne kërkojmë bashkëpunim nga të gjithë konsumatorët, bizneset, secili që mund të kontribuojë duhet të kontribuojë sepse shëndeti publik është interes nacional dhe ne duhet që të gjithë të punojmë bashkërisht që ta ruajmë shëndetin publik”, ka përfunduar zëdhënësi i AUV-it. /EO