Arbëri

Meta dekretoi marrëveshjet për sigurime dhe për trafikun kufitar

Presidenti i Republikës Shqipërisë, Ilir Meta ka dekretuar të hënën marrëveshjen e qeverisë shqiptare me atë të Kosovës për njohjen e sigurimeve shoqërore mes dy vendeve dhe marrëveshjen për rregullat e regjimit të trafikut lokal të kufirit. Me këtë rast, Meta ka komentuar se krijimi i mundësive të përfitimit të pensioneve nga shqiptarët që jetojnë e punojnë në Kosovë, si dhe për shtetasit kosovarë, të cilët vijnë për të punuar në Shqipëri, është i vonuar.

“Mes Kosovës dhe Shqipërisë, nuk duhet të ketë asnjë barrierë që pengon qytetarët nga të dy anët e kufirit, të përfitojnë nga skemat e mbrojtjes shoqërore, duke respektuar parimin e trajtimit të barabartë, me synimin parësor për mirëqenien më të lartë dhe trajtimin më të mirë të tyre”, ka deklaruar Meta.

Për marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës për rregullat e regjimit të trafikut lokal të kufirit, Meta ka kërkuar që autoritetet shqiptare të marrin pa vonesë masa për nxjerrjen e akteve rregullatorë në zbatim të marrëveshjes, duke shmangur çdo lloj burokracie.

"Miratimi i kësaj marrëveshjeje me Republikën e Kosovës është vetëm hapi i parë drejt thjeshtëzimit e lehtësimit të procedurave dhe të masave të lidhura me regjimin e trafikut kufitar lokal e të lejeve për këtë qëllim përgjatë kufirit. Për të mundësuar realisht lehtësimin e qarkullimin e banorëve të zonave kufitare, nevojitet që autoritete shqiptare të marrin pa vonesë masa për nxjerrjen e akteve rregullatorë në zbatim të marrëveshjes, duke shmangur çdo lloj burokracie", ka komentuar Presidenti i Shqipërisë pas dekretimit të marrëveshjes.

Të dy marrëveshjet paraprakisht janë miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë me 10 mars, me 111 vota për dhe asnjë kundër.