Arbëri

SHBA-ja e vlerëson nderimin e Kosovës për Albrightin

Descriptive Text

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Shtetet e Bashkaura të Amerikë janë të nderuara nga vendimi i autoriteteve të Kosovës që të shpallin të premten ditë zie në nderim të ish-Sekretares amerikane Madeleine Albright, që vdiq të mërkurën.

“Ju vazhdoni ta nderoni kujtimin e saj çdo ditë përmes punës suaj për ndërtimin e një demokracie të begatë dhe multietnike”, ka shkruar ai të premten në Twitter teksa ka publikuar flamujt shtetërorë amerikanë dhe të Kosovës në gjysmështizë.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, qe zëri i shqiptarëve të Kosovës në ditët më të vështira

“Në shenjë respekti shtetëror, dita e premte, datë 25 mars 2022, shpallet ditë zie në Republikën e Kosovës për të kujtuar miken e madhe të Kosovës, Madeleine Albright e cila u nda nga jeta të mërkurën. Zonja Albright e njohu dhimbjen e popullin tonë sepse edhe vet e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, ka bërë të ditur presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në njoftimin për shpalljen e së premtes ditë zie.

Me vendim, flamujt shtetëror ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.