Arbëri

7.000 nxënës kosovarë i nënshtrohen sivjet testit PISA

Testit PISA këtë vit do t’i nënshtrohen 7.000 nxënës, në periudhën nga 25 prilli deri më 20 maj, ka bërë të ditur të premten në një konferencë për media, zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci.

Pupovci ka dhënë detaje edhe për mbajtjen e testit të arritshmërisë, i cili kësaj radhe do të organizohet në dy ditë. Testi i parë do të mbahet më 4 qershor ndërsa i dyti më 14 qershor.

“Në ditën e parë do të jetë testi nga gjuha shqipe, angleze, historia dhe gjeografia. Ndërsa në ditën e dytë do të jetë testi nga matematika, informatika, fizika, kimia dhe biologjia. Qëllimi i këtij ndryshimi është që të fokusohemi pak më shumë në vlerësimin e njohurive dhe shkathtësive të nxënësve nga të gjitha lëndët relevante dhe jo të shkojmë me një numër të vogël pyetjesh sic është vepruar deri më tani”, ka thënë Pupovci.

Lidhur me numrin e ulët të aplikantëve për subvencionimin në fushën e IT-së, Pupovci ka thënë se e kuptojnë se numri i aplikuesve është më i vogël se që e kanë pritur, porse nuk ka dhënë detaje se çfarë masash kanë ndërmarrë aktualisht si ministri.

“Mendoj që duhet në të ardhme të bëjmë më shumë nxitje dhe informim të nxënësve që të aplikojnë. Ndoshta edhe numri prej 2.000 ka qenë më i madh sepse është fjala për maturantë dhe ne kemi prit qe 8% të tregojnë interesim. Interesimi ka qenë më i vogël, pra thjeshtë ose duhet t’i orientojmë këto grante herëve të tjetra në fusha të tjera ose duhet ta zgjerojmë rrethin që të mos shkojmë veç me maturantë por edhe me nxënës të klasës 11, që ky numër të jetë më i madh. Mjetet janë aty, tash duhet zhvilluar konsultime ose të përsëritet ose t’i jepet një gjenerate tjetër mundësia ose të modifikohet ne atë forme që të përfshijë edhe ata që janë të interesuar në fusha të tjera përveç në fushën e IT-së”, ka thënë Pupovci.

Gjatë konferencës u njoftua edhe për hapjen e konkursit për punësimin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, si dhe për ndarjen e bursave për studentë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.