Arbëri

QUINT-i bën thirrje për vetëpërmbajtje në Kosovë: Rrezik për përshkallëzim të gjendjes

Shtetet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo retorikë apo veprim që mund të rrisë tensionet. Në një deklaratë, ato janë shprehur të shqetësuara për rrezik të përshkallëzimit të situatës në Kosovë me nisjen e protestave të paralajmëruara në disa qytete me shumicë serbe.

Shefat e Misionit të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian “i kanë parasysh demonstratat e planifikuara për sot dhe shprehin shqetësimin për rrezikun e përshkallëzimit të gjendjes apo për dhunë".

Ata thonë se qytetarët kanë të drejtë për tubim, por theksojnë se organet e zbatimit të ligjit të Kosovës duhet të sigurojnë që ato tubime të mos kthehen në të dhunshme.

“Qytetarët kanë të drejtë për tubim në mënyrë paqësore si dhe përgjegjësi për të siguruar që tubimet e tilla janë paqësore dhe nuk kthehen në të dhunshme. Ndër të drejtat tona të përbashkëta demokratike janë edhe e drejta për tubim në mënyrë paqësore dhe që zëri ynë të dëgjohet, të drejta këto që organet e zbatimit të ligjit kanë përgjegjësi për t'i mbrojtur. Organet e zbatimit të ligjit e kanë detyrim të ruajnë rendin publik dhe do të duhej ta bëjnë këtë pa shkelur parimet demokratike të lirisë së shprehjes dhe të tubimit”, thuhet në deklaratën e publikuar.