Arbëri

Qori: Qeveria e Shqipërisë është krejtësisht e korruptuar

Descriptive Text

Aktivisti nga Shqipëria, Arlind Qori, deklaroi se Qeveria e Shqipërisë është krejtësisht e korruptuar dhe sipas tij, protestat popullore duhet të vazhdojnë.

Ai, të mërkurën, në emisionin “Java Sonte me Rronin” në KTV, tha se situata në Shqipëri është e vështirë, pasi çmimet po rriten, sidomos ato të derivateve.

“Situata është e vështirë. Çmimet janë të rritura, vazhdojnë të rriten, çmimet e naftës po rriten. Qeveria s’ka bërë transparencë. Ajo po pretendon se do t’iu mbajë oligarkëve një marsh të ulët taksimi. Shoqëria po zien. Të shtunë ishte protestë e madhe, kishte pjesëmarrje të kënaqshme”, tha Qori.

Ai deklaroi se ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nuk ka qenë kurrë në këtë post, pasi siç potencoi ai, PD-ja është parti paramoderne dhe kryetar i saj gjithherë ka qenë Sali Berisha.

“Po të ishte PD-ja më e fuqishme, do t’i mbyste protestat. Dobësia e PD-së është fuqia e protestave. Sot Qeveria është përballë presionit popullor. Qeveria është në një pozitë më të vështirë dhe duhet të japë më shumë llogari”, tha ai.

Sipas Qorit, fajet për dëmet ekonomike në Shqipëri nuk janë vetëm të kryeministrit Edi Rama, por edhe të Lulzim Bashës.

“Rafineria e naftës në Ballsh që është shkatërruar, është në fajësi të Bashës dhe Ramës. Ne mund t’i kërkojmë llogari qeverisë, sepse ne nuk jemi përfshirë në asnjë akt korruptiv apo të shkatërrimit të vendit. Të gjitha janë bashkëfajtorë dhe bashkëpunëtorë në një krim të madh ekonomik në Shqipëri”.

Qori paralajmëroi se protestat do të vazhdojnë dhe për këtë po bëhen gati.

“Protestat do të vazhdojnë dhe duhet të vazhdojnë. Jemi duke kërkuar rrugëzgjidhje që protesta të vazhdojë. Sot s’jam i gatshëm të them se kur do të mbahet protesta e ardhshme. Duhet të jemi të një fronti të gjerë popullor, por nëse nuk krijohet, ne si organizatë do ta marrim edhe vet iniciativën e krijimit të frontit. Shqipëria është në emergjencë ekonomike dhe shoqërore. Qeveria është e korruptuar e tëra”, tha ai.