Arbëri

Çmimet e materialeve ndërtimore u rritën dukshëm, nga Ministria thonë se nuk u gjetën abuzime

Descriptive Text

Trendi i rritjes së çmimeve, kohëve të fundit, ka prekur dukshëm edhe sektorin e ndërtimit.

Materialet bazë, që përdoren për ndërtim, janë shtrenjtuar deri në 80 për qind nga depot furnizuese.

Pronarë të kompanive ndërtuese thonë se shtrenjtimi po ndikon edhe në rritjen çmimit të punës së ndërtimit, çka rrjedhimisht po sjell edhe ulje të kërkesës për ndërtim.

“Po, po janë rritur, dukshëm janë rritur çmimet. Sidomos në kohën e fundit ka ngritje të lartë të çmimit të armaturës, betonit dhe të blloqeve, por tash normalisht edhe e punës. Ngritja është prej 20 deri 80 për qind, varet prej materialit që nevojitet. Ndikon në kërkesën e berzave të rriten edhe çmimet e shitjes, që të mund të dilet në marzhën (e fitimit) të cilën e planifikon secila kompani, besoj”, thotë Floridon Canaj nga “Premtimi Construction”.

E njohësi i çështjeve të të drejtave të konsumatorit, Selatin Kaçaniku, vlerëson se inspektimi në sektorin e ndërtimit është i munguar.

Sipas Kaçanikut, ashtu si me fushat tjera, prioritet duhet të jenë edhe konsumatorët e sektorit të ndërtimit.

“Industria e ndërtimeve ndoshta është industria më e fortë në Republikën e Kosovës dhe nuk trajtohet njëjtë si segmentet e tjera si fushat degët sektorët tjerë socio-ekonomikë. Asnjë prodhim, asnjë mall, asnjë shërbim, Qeveria nuk duhet ta trajtojë në mënyrë separate e as ta trajtojë në mënyrë të favorizuar që në anën tjetër ndonjëra të jetë e diskriminuar. Qeveria duhet të merret shumë seriozisht me të, aq më parë dhe aq më shumë”, tha Kaçaniku.

Por, nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë thonë se janë marrë edhe me këtë sektor, ani pse nuk deklarojnë që të kenë gjetur abuzime me çmimet.

“Inspektorati i Tregut në baza të rregullta mbikëqyr operatorët ekonomikë që tregtojnë produkte të ndërtimit. Përveç sigurisë dhe cilësisë së produkteve të ndërtimit, ne mbikëqyrim edhe çështjen e mashtrimit të konsumatorëve, qoftë edhe me anë të çmimeve. Gjatë inspektimeve të rregullta, kohëve të fundit është vërejtur një rritje e çmimeve, por kjo rritje është vërtetuar se vjen si pasojë e lëvizjes së çmimit të furnizimit (qoftë të produkteve finale apo lëndës së parë). Çmimet aktuale nuk e tejkalojnë marzhën e fitimit që zakonshëm kalkulohet në çmimet finale. Nëse vërtetohet se operatorët ekonomikë abuzojnë në çfarëdo forme me çmimet e shitjes, Inspektorati i Tregut konform mandatit ligjor që ka ndërhyn duke penalizuar të gjithë ata që abuzojnë dhe mashtrojnë konsumatorët”, thuhet nga MINT

Rritja e çmimeve të materialeve të ndërtimit ka ndikuar edhe në shitjen e objekteve banesore me çmime më të larta.