Arbëri

Qeveria në komunikim me vendet e QUINT-it për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjet serbe

Pak më shumë se 2 javë kanë mbetur nga data kur Serbia do të mbajë zgjedhjet presidenciale.

Por, përkundër kësaj, qytetarët serbë të Kosovës e që kanë të drejtë vote edhe në Serbi, ende nuk e dinë nëse ky proces do të organizohet edhe në Kosovë, siç është bërë më parë.

Derisa dy muaj më parë ishte i prerë se nuk do të lejojë atë, kryeministri Albin Kurti tani thotë se dëshirojnë ta respektojnë Kushtetutën, por edhe të mos e pamundësojnë të drejtën e serbëve për të votuar.

“Ne dëshirojmë që në Kosovë të respektohet Kushtetuta, ligji dhe Rezoluta e 15 janarit të këtij vitit. Ndërkaq nuk duam që t’ia pengojmë, t’ua pamundësojmë qytetarëve të Kosovës, që mund të kenë edhe pasaportë të Serbisë, të drejtën e tyre të votës”, tha Kurti.

Për arritjen e një marrëveshjeje, siç i është thënë KOHËS të shtunën, Qeveria është në komunikim të vazhdueshëm me vendet e QUINT-it.

“Nuk kemi pranuar ndonjë kërkesë zyrtare nga Serbia drejtuar Qeverisë së Republikës së Kosovës për lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të 3 prillit. Ne nuk synojmë e as dëshirojmë që t'ua pamundësojmë pjesëmarrjen në votim në këto zgjedhje qytetarëve të Republikës sonë që kanë dyshtetësi, por në të njëjtën kohë nuk mund të veprojmë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit. Ndaj të dyjave këto do të sillemi me përgjegjësi dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm me shtetet e QUINT-it për arritjen e një marrëveshjeje që ofron një zgjidhje të përshtatshme e që është në përputhje me vullnetin e mirë dhe në të njëjtën kohë me sundimin e ligjit dhe praktika të mira ndërkombëtare”, tha zëdhënës i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë nuk kanë treguar nëse kanë pranuar kërkesë nga Serbia për mbajtjen e zgjedhjeve, ashtu siç kanë bërë për referendumin.

Nga OSBE-ja kanë shprehur gatishmëri për mbledhjen e votave, si më parë, në rast se ka pajtim mes dy shteteve.

“OSBE-ja, përmes misionit të saj, ka bërë mbledhjen e votave për zgjedhjet serbe në Kosovë që nga viti 2012, e mbështetur nga institucionet e Kosovës, përfshirë Policinë e Kosovën dhe KFOR-in. Megjithatë, kjo ka qenë gjithmonë e bazuar në marrëveshje të ndërsjellë ndërmjet Prishtinës/Beogradit dhe pëlqimit të të gjitha institucioneve relevante për një operacion të tillë. Misioni i OSBE-së në Kosovë vazhdon të jetë i gatshëm për të kryer mbledhjen e votave me kusht që të plotësohet ky kusht”, thuhet nga OSBE.

E ish-presidenti Fatmir Sejdiu thotë se mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë mund të bëhet në Kosovë nëpërmjet një mekanizmi të tillë, që nuk cenon interesat dhe sovranitetin e vendit, si dhe nuk prek funksionimin e institucioneve të vendit.

“Unë nuk them se duhet të mbahen absolutisht, unë them se mund të jetë sikur situata e mëhershme në ndonjë qendër që është e monitoruar edhe ndërkombëtarisht, por që nënkupton një formë servisi për qytetarët serbë që të bëhen, jo ajo që ata tentojnë të bëhet me këtë, që të krijojnë njësi zgjedhore në Kosovë dhe institucionet e Kosovës të shndërrohen në trampolinë të veprimeve të këqija që ata dinë për t’i bërë”, tha Sejdiu.

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Akri Cipa, në “Interaktiv” të KTV-së, ka paralajmëruar për pasojat e ndryshimit të qëndrimit të Qeverisë.

Ai thotë se lejimi i zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë mund të bëhet vetëm në kuadër të një reciprociteti.

“Në qoftë se nuk shoqërohet me masë reciproke në raport me lëshimin që mund të marrë Kosova nga Beogradi. Nëse nuk ka një politikë të mirëfilltë kompensuese në këtë raport, atëherë po besoj se po rikthimi i status-quos dhe i mënyrës sesi janë zhvilluar zgjedhjet më herët në Kosovë rikthen përsëri situatën asimetrike ndërmjet palëve”, tha Çipa.

Mbajtjen e proceseve zgjedhore të Serbisë edhe në Kosovë e kanë kërkuar vazhdimisht ndërkombëtarët.

Por, ambasadat e QUINT-it në Kosovës, gjatë javës, nuk janë përgjigjur në pyetjet e televizionit për këtë çështje.