Arbëri

Britania kthen vëmendjen kah Kosova: Një konflikt tjetër do të ishte shkatërrues

Descriptive Text

Deputetët e Parlamentit të Britanisë kanë diskutuar të mërkurën për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor me fillimin e luftës në Ukrainë. Ata kanë kritikuar Serbinë e cila nuk ka ndërmarrë sanksione ndëshkuese për Rusinë pas pushtimit të Ukrainës.

Wayne David ka folur për luftën në Bosnjë dhe atë në Kosovë, teksa e quajti shqetësuese situatën në Ballkanin Perëndimor pas luftës në Ukrainë. Ai theksoi se nuk do shumë që tensioni mes Kosovës dhe Serbisë mund të ngritët, për çka kërkoi vëmendjen e Britanisë mbi to.

“Këtë muaj kryeministri kosovar vizitoi Londrën dhe paralajmëroi për influencën e Rusisë mbi Serbinë. Ai theksoi ngjarjet që ndodhën në Kosovë, në kufi me Serbinë, vitin e kaluar. Forcat Speciale të Kosovës shkuan atje në kufi, e që u përcoll me avionët e tanket ushtarake serbe. Kjo tregoi qartë se si tensionet janë në sipërfaqe dhe nuk duhet shumë që gjërat të nxehen, dhe kjo kërkon vëmendjen tonë për situatën”.

“Ishte vetëm intervenimi në Kosovë dhe Serbi që parandaloi rrjedhjen edhe më të madhe të gjakut kur nacionalistët e Serbisë të drejtuar nga Slobodan Millosheviqi tentuan të spastrojnë shqiptarët etnikë të Kosovës”, ka thënë ai.

Wayne shtoi se Putini “për vite ka inkurajuar nacionalizmin serb duke futur duart në ato të serbëve dhe duke nxitur urrejtje etnike”.

“Para luftës në Ukrainë kishte shqetësim të madh që Bosnja mund edhe një herë cak i gjakderdhjes etnike”, tha ai duke përmendur kreun e Republikës Srpska në Bosnjë dhe deklaratat se do të shkëputen pa respektuar më institucionet shtetërore.

Millorad Dodikun e quajti njeri të afërt me Putinin.

Ndërsa, deputeti Chris Law ka thënë se presidenti rus Vladimir Putin është përpjekur që përmes Serbisë të ndikojë në Kosovë. Shtoi se Putini po tenton të tregojë se suksesi i NATO-s në Kosovë – intervenimi i aleancës që i dha fund luftës në Kosovë – nuk zgjat.

“Është e qartë që Putini e konsideron intervenimin e NATO-s në Kosovë si ngjarjen më të rëndësishme ndërkombëtare dhe ai kërkon që ky shtet të ndjejë që suksesi i NATO-s ishte i përkohshëm siç ishte në Irak dhe Afganistan. Rusia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe e ka bllokuar që të bashkohet në Kombet e Bashkuara. Rusia i është bërë aleat Serbisë në këtë çështje dhe është akuzuar se po përdorë Serbinë për destabilizimin e rajonit. Kur Serbia mbështeti integritetin territorial të Ukrainës dhe votoi në favor të rezolutës së OKB që dënon veprimet e Rusisë, nuk e rreshtoi veten me sanksionet e BE-së kundër Rusisë. Nuk është e çuditshme nga ky kontekst që Dodiku u mundua ta parandalojë votimin nga Bosnja që të dënojë veprimet e Rusisë në OKB”, ka thënë ai.

Law citoi kryeministrin e Kosovës, duke vënë theksin te rreziku i përhapjes së luftës në Ukrainës edhe në Ballkanin Perëndimor.

“Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se ‘ndjej që sa më e gjatë të jetë lufta në Ukrainë, gjasat janë më të mëdha të përhapjes në Ballkanin Perëndimor’. Kjo sepse është në interesin e Rusisë. Ne duhet të kemi parasysh këto paralajmërime sepse çdo konflikt në Ballkan do të ishte shkatërrues dhe historia na ka treguar vazhdimisht këtë”.

E, Stephen Doughty e quajti të guximshëm vendimin e shteteve ballkanike, përveç Serbisë, për të vendosur sanksione kundër Serbisë. Ai tha se pavarësisht Rusisë e cila përmes Serbisë mund të ndikojë në to, përfshirë Kosovën, ato iu bashkuan botës. Britania e Madhe, do t’i mbështesë, shtoi ai.

Deputetët bënë të qartë se askush nuk mund t’i mohojë masakrat dhe gjenocidin e ndodhur në Ballkanin Perëndimor në vitet 90’.

Kurse, ministri për Evropën i Britanisë së Madhe, James Cleverly, ka thënë se Britania qëndron pro integrimit euroatlantik të Kosovës. Ai u shpreh falënderues për zbatimin e sanksioneve kundër Rusisë dhe ofertës për refugjatë ukrainas.

“Është thelbësore që Evropa të paraqesë një front të bashkuar kundër Putinit. I jam mirënjohës #Kosovës për zbatimin e sanksioneve kundër Rusisë dhe ofertës së saj bujare për të pritur refugjatët ukrainas. Mbretëria e Bashkuar mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj integrimit euroatlantik të Kosovës”, ka thënë Cleverly.

Ai ka thënë se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të arrihet patjetër për sigurinë, duke shtuar se Britania duhet të ndihmojë në këtë.

“Çfarëdo që ndodhë në Ballkan, ndikon në pjesën tjetër të Evropës”.