Arbëri

Numri i vogël i inspektorëve veterinarë ia vështirëson punën AUV-it

Zëdhënësi i Agjencia së Ushqimit dhe Veterinës, (AUV), Lamir Thaçi, deklaroi se ky institucion i ka vetëm dy inspektorë veterinarë në aspektin nacional, e në atë të komunave, nuk ka fare. Ai tha se ky është shumë numër i vogël për ta mbikëqyrur tërë situatën e produkteve me afat të skaduar që mbahen në depot e kompanive.

“Ne po mundohemi t’i mbështesim ata nga zyra qendrore. Nga regjionet ku kemi, jemi autoritet nacional, të transferojmë inspektorë nga Prishtina apo qendra të tjera. Kjo fabrikë është inspektuar nga inspektorë nga Prishtina”, tha ai.

Thaçi tha në “60 Minuta” të KTV-së se 36 mijë kilogramë mish të kapur të martën në Pejë, po mbahej në depon ruajtëse dhe nuk ishte i destinuar për përpunim e as shitje.

Sipas tij, mishi pos nga Brazili, kishte ardhur edhe nga vende të ndryshme.

“Ne i kemi kryer të gjitha detyrat, jemi ftuar nga Policia të kryejmë kontrollin. Kjo sasi është gjetur në depo, ka qenë duke qëndruar duke mos i respektuar rregullat e biznesit, ka pasur sasi të ndryshme me data skadimi të ndryshme. Gjithçka është kryer sapo është hasur kjo ngarkesë. Aty ka pasur disa lloje mishi, nuk bëhet fjalë për një kontingjent që ka ardhur në të njëjtë kohë...Disa produkte kanë qenë të identifikuara që kanë qenë me afat të skaduar, por kjo s’duhet të ndodhë në çfarëdo rasti, duhet raportuar raste të tilla”, tha Thaçi.

Sipas tij, hetimet po kryhen nga AUV-i, Policia dhe Prokuroria, derisa te ky inspektim i depos erdhi nëpërmjet një kontrolle të rastësishme.

“Ne kemi qenë atje, tri autoritetet dhe të tria i kemi hetimet tonat. S’mund ta paragjykoj se sa mund të dënohet kompania. Ne në secilin rast, detyrë dhe mandat e kemi ta dërgojmë lëndën në Prokurori. Vendimet e gjykatës s’mund t’i komentojmë por për fazën e hetimeve duhet ta pyesni prokurorinë e policinë”, tha Thaçi.