Arbëri

Institucionet kapën rastësisht 36 mijë kg mish me afat të skaduar

Ibrahim Tërshnjaku, kryeinspektor në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari, ka thënë se kapja e 36 mijë kilogramëve mish me afat të skaduar të martën në mbrëmje në një depo në Pejë, ka ndodhur pas një kontrolle rutinore që pati ky Agjencion bashkë me autoritetet tjera. 

36 mijë e 180 kilogramë mish me afat të skaduar u konfiskuan të martën në Zahaq të Pejës, njoftoi Policia e Kosovës. Sipas njoftimit, bëhet fjalë për mish gjedhi, peshku, të pulës me origjinë të prejardhjes nga Brazili, Italia dhe Polonia.

Tërshnjaku shtoi se tani janë në fazën e gjurmueshmërisë, dhe për t’u siguruar që nuk ka në treg produkt nga ajo që kanë gjetur.

“Aksidentalisht, autoritetet policore bashkë me autoritetet tona kanë bërë një kontroll dje. Ka qenë kontroll rutinore. Tani rasti është në fazën e gjurmueshmërisë. Më tutje, vazhdojnë masat ligjore që do të ndërmerren. Si cikël, është përfunduar në kuptimin e asaj që produkti nuk është lënë të dalë në treg. Tani do të shohim nëse ka në treg nga ajo që kemi gjetur. Ne po e sigurojmë qytetarin se nga ajo sasi, nuk do të ketë më produkt”, deklaroi Tërshnjaku në emisionin “SOT” të KTV-së.

Tërshnjaku tregoi se një rast i tillë “ka kohë të gjatë që nuk ka ndodhur në Kosovë”.

Tutje, kryeinspektori i AUV-it deklaroi se koncentrimi më i madh i kësaj Agjencie janë pikat kufitare, aty ku bëhet importi më i madh.

“Një obligim i madh i Qeverisë dhe ditë solide lidhur me manifestimin e ditës ndërkombëtare të mbrojtjes së konsumatorit gjatë ditës së djeshme. Mbrojtja e konsumatorit është prioriteti ynë gjatë 365 ditëve. Me kalimin e viteve po rritet vetëdija konsumatorit që të kenë produkte të sigurta. Ne si AUV, sipas ligjit, sigurojmë qytetarin që të kenë ushqime të sigurta. Ne kemi filluar me intensitet të lartë kontrollet edhe këtë vit. Inspektorati ynë bën kontrolle të detajuara, duke u parashtruar të gjitha kontrolleve që janë në kuadër të kornizës ligjore. Koncentrimi më i madh i yni është në pikat kufitare, pasi siç dihet Kosova varet më shumë nga importi”, potencoi ai.

Në vitin 2021, sipas Tërshnjakut, janë asgjësuar mbi 700 mijë kilogramë produkte konditorike e mbi 50 mijë produkte ushqimore.

“Konsumatorët mund të thërrasin pa pagesë në numrin 0800 111 000 apo të shkruajnë në faqen Mbrojtja e Konsumatorit, ku vetëm në mënyrë anonime mund të tregojnë që në këtë operator ekonomik kam hasur në një produkt me afat të skaduar apo diçka tjetër dhe brenda një ore ne e dërgojmë inspektorin aty”, përfundoi Tërshnjaku.