Arbëri

SHSKUK-ja kontraktoi ndërtimin e një objekti pa leje ndërtimi nga Komuna

Rreth 2.3 milionë euro është vlera e një kontrate të lidhur mes ShSKUK-së dhe kompanisë “Olti Traising” për ndërtimin e një aneksi të përbashkët për klinikat e Nefrologjisë dhe Hemato-Onkologjisë. Kontrata është nënshkruar në janarin e vitit të kaluar, por punët ende nuk kanë filluar për shkak që Komuna e Prishtinës nuk ka dhënë leje ndërtimi për objektin.

Ka më shumë së 13 muaj prej kur SHSKUK-ja e ka nënshkruar tenderin për një aneks të përbashkët për klinikat e Nefrologjisë dhe Hemato-Onkologjisë.

Tenderi peshon rreth 2.3 milionë euro, por punët nuk kanë filluar ende për shkak që Komuna e Prishtinës nuk ka dhënë leje ndërtimore për këtë objekt.

Kontrata për ndërtimin e aneksit është dyfaqëshe dhe ka katër nene gjithsej. Nuk jepen detaje për punët që planifikohen të kryhen e as për periudhën brenda së cilës punët duhet të finalizohen.

Në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës kanë thënë se nevoja për një aneks të tillë është e madhe, por fajin për zvarritjen e punimeve ia faturuan Komunës së Prishtinës.

“Tenderi është zhvilluar me procedurë të hapur, kanë konkurruar 9 operatorë ekonomikë dhe është zgjedhur oferta më e lirë. Komuna e Prishtinës nuk e ka dhënë lejen për ndërtim, edhe pse janë ndjekur të gjitha procedurat e rregullta për t’u pajisur me të. Leja nuk është dhënë nga Komuna me arsyetimin se nuk janë të përcaktuar kufijtë e parcelave brenda QKUK-së”, ka thënë Zyra për Informim e SHSKUK-së.

Sipas këtij institucioni, Komuna e Prishtinës ka përdorur standarde të dyfishta për leje ndërtimi brenda hapësirës së këtij institucioni.

“Duhet ta theksojmë se për ndërtimin e objekteve të tjera QKUK-ja ishte pajisur me leje ndërtimore në të njëjtat rrethana. Aneks-objekti në fjalë ndodhet ndërmjet klinikave ekzistuese dhe si i tillë është larg kufijve periferikë. QKUK-ja është në kontakt me Drejtorinë e Urbanizimit në Komunën e Prishtinës për pajisje me leje ndërtimore”, kanë thënë nga SHSKUK-ja.

KOHA ka kërkuar përgjigje edhe nga Komuna e Prishtinës, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje gjatë ditës.

Kontrata është nënshkruar vitin e kaluar nga drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, i cili në të kaluarën ka qenë pjesë e LDK-së. E, përfituese e kontratës është kompania “Olti Traising”, me pronar Ragip Mustafën. Një nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së ka pikërisht këtë identitet, por as Mustafa dhe as kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk kanë treguar prej më shumë se një muaji nëse bëhet fjalë për të njëjtin.

KOHA ka adresuar pyetje edhe në këtë kompani së cilës i është kërkuar të ofrojë informacione nëse do të shfrytëzojë rrugët ligjore për të realizuar kontratën, por përgjigjja ka munguar.

SHSKUK-ja viteve të fundit ka pasur probleme të theksuara të menaxhimit të investimeve kapitale. Puna në dy projekte të tilla, siç janë Spitali i Ferizajt e Klinika e Emergjencës, është ndaluar. Të dy rastet tashmë janë duke u trajtuar nga gjykatat.