Arbëri

Hoxha-Zhuja: Sistemi i drejtësisë vazhdon të shihet si i kapur

Descriptive Text

Gjatë vitit të kaluar, gjykatat themelore në vend kanë arritur t’i zgjidhin vetëm 64 për qind të lëndëve, ka deklaruar Rreza Hoxha-Zhuja, hulumtuese e lartë në projektin “Drejtësia Sot”.

Ajo deklaroi në DESK-un e KTV-së se kjo statistikë nuk është negative, por që me përkushtim mund të jetë edhe më e lartë, derisa theksoi se nga gjykatat e Apelit janë zgjidhur 79 për qind, e ato të Supremes 99 për qind.

Sipas Hoxha-Zhujës, sistemi i drejtësisë në vend ende vazhdon të karakterizohet si i influencuar nga politika.

“Sistemi gjyqësor ende karakterizohet si sistem i influencuar nga politika ose sistem i kapur, kjo për mungesë të rezultateve në luftimin e lëndëve të krimit të organizuar, krimit të organizuar apo lëndët e nivelit të lartë. Nga kjo, doemos karakterizohet me interpretimin e efikasitetin e sistemit gjyqësor”, tha ajo.

“Sistemi i drejtësisë si njëri ndër sistemet më të rëndësishme të vendit ka shumë çështje për të diskutuar mirëpo nëse mund ta përmbledh shkurtimisht, mund të them që disa vite ose që nga momenti kur është krijuar, e karakterizojnë probleme të shumta e disa edhe sistematike. nëse fillojmë te ajo që jemi mësuar ta themi, fatkeqësisht, është numri i madh i lëndëve pastaj performanca në zgjidhjen dhe efikasitetin e këtyre lëndëve”, ka shtuar ajo.

Në anën tjetër, zëvendëskryesues i Këshillit Gjyqësor, Qerim Ademaj, deklaroi se konstatimet e GLPS-së qëndrojnë, mirëpo deklarimet e hulumtueses sipas tij për ndikimin politik mbi sistemin gjyqësor, nuk janë të vërteta.

“Konstatimet e GLPS-së që e kanë monitoruar punën e sistemit të drejtësisë, qëndrojnë për shkak se tash raportet e punës, secilës gjykatë, publikohen në uebfaqe, edhe të gjykatave edhe në të tjerat. Për atë të ndikimit, unë e ndaj një mendim tjetër, për shkak se sipas mendimit tim, nuk mund të qëndrojnë këto konstatime për ndikime politike. Nuk mendoj se gjyqtarët bien në ndikimin e trajtimit të rasteve të veçanta”, tha ai.

Për numrin e madh të lëndëve të pazgjidhura, Ademaj tha se njëri faktor është kontratat kolektive që janë lidhur nga pushteti ekzekutiv dhe kontratat sektoriale si dhe faktori i pandemisë.