Arbëri

Ministria e Industrisë: Disa operatorë mashtruan me çmime, shkeljet u adresuan

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), bën të ditur se janë duke i inspektuar intensivisht operatorët ekonomikë për ngritjen e çmimeve të vajit, miellit, sheqerit e produkteve të tjera.

Nëpërmjet një komunikate, Ministria shkruan se disa operatorë i kanë mashtruar konsumatorët pasi të mërkurën i kanë zbrazur raftet e vajit ushqimor, duke krijuar përshtypjen se ka mungesë, ndërsa më pas i kanë rikthyer, me çmim 3.49 euro për litër.

“Vaji ushqimor është importuar ditë më parë dhe fillimisht është shitur me çmim 1,50 euro për litër. Këto veprime të tregtarëve përbëjnë mashtrim të konsumatorit, praktikë të padrejtë tregtare dhe konkurrencë të padrejtë, andaj Inspektorati i Tregut po merr masa ndëshkuese dhe çdo veprim tjetër të përcaktuar me ligj”, thuhet në komunikatë.

MINT-i bën të ditur se gjetjet i ka dërguar tek organet e ndjekjes për hetim të veprave penale.

“MINT fton qytetarët e Republikës së Kosovës të mos bien pre e manipulimeve të tregtarëve të pandërgjegjshëm. Qytetarët nuk kanë nevojë të furnizohen me rezerva të produkteve ushqimore esenciale. Furnizimi me këto produkte është i rregullt, por disa operatorë ekonomikë kanë shfrytëzuar situatën në mënyrë të egër, duke ndjellë panik te qytetarët – njëherë duke fshehur mallin e pastaj duke e rikthyer me çmim tejet të lartë”, thuhet në komunikatë, derisa theksohet se gjendja është nën kontroll dhe s’ka vend për panik.