Arbëri

Bajrami: Vendi në krizë, Qeveria Kurti po tallet me qytetarët

Deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, deklaroi se derisa vendi gjendet në krizë, Qeveria Kurti po tallet me qytetarët, ndërsa ditëve në vijim, mund të flitet edhe për kriza të tjera.

Ajo tha para mediave se një vit pas marrjes së qeverisjes nga Lëvizja Vetëvendosje, kryeministrit Albin Kurti i mbetet të tregojë nëse vendi është i varfër apo i vjedhur.

“Ne s’po bëjmë panik. Panikën po e bëjnë marketet, derisa Qeveria vetëm po e konfirmon situatën... Kryeministri sot në Gjilan tha se tani Kosova çmimin e vajit më të lartë në tërë botën. Na e tregoi atë që e dimë në baza ditore. Ku është Qeveria, pse i ka braktisur qytetarët. Kurti po tenton t’i mbushë qytetarët me shpresë”, deklaroi Bajrami.

Sipas saj, aprovimi i emrave për udhëheqje të Komisionit të Konkurrencës duhet të bëhet sa më parë, ngase siç tha ajo, ky Komision ekzekutiv do të shërbente në këtë periudhe krize.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës, kërkoi dorëheqjen e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, pas përgënjeshtrimit që ia bëri zyrtari i Këshillit të Evropës.

“Marrë parasysh që qeverisemi nga një pushtet që prodhon skandale, duhet ta trajtojmë me urgjencë skandalin e Bislimit.. Për më keq, kjo ndodhë kur Kosova kërkon anëtarësimin në NATO, BE e Këshill të Evropës. Ky është skandal i rëndë, që dëmton rëndë procesin e integrimit në Këshillin e Evropës që patëm pas suspendimit të Rusisë. LDK-ja kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Bislimit, s’është i denjë ta përfaqësojë Kosovën, e Kosova po e paguan çmimin e dëmit", tha zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi.