Arbëri

IPK-ja thotë se “vetëm 213 punonjës të Policisë u hetuan për vepra penale”

Descriptive Text

Inspektorati Policor i Kosovës ka paraqitur akitvitet e ndërmarrura gjatë vitit 2021. IPK gjatë vitit 2021 ka pranuar dhe ka menaxhuar me 2013 ankesa dhe informata që në krahasim me vitin e kaluar ka një ngritje të numrit të ankuesve, vitin e kaluar ka trajtuar 1658 ankesa.

Inspektorati përmes një komunikate njoftoi se prej tyre, 1331 ankesa që janë klasifikuar si shkelje disiplinore e profilit të ultë janë përcjellë për t’u trajtuar në Drejtorinë për hetime të brendshme dhe verifikim të së kaluarës në Policinë e Kosovës.

“Nga 163 raste me elemente të veprës penale, 106 janë dërguar me kallëzim penal nga Departamenti i Hetimeve në prokuroritë kompetente, ndërkaq me raport të veçantë janë dërguar 54 raste”.

Njoftoi tutje se gjithsej gjatë vitit 2021 si subjekt i hetimit nga IPK-ja kanë qenë 213 punonjës të PK-së. “E shprehur në përqindje i bie që vetëm 2.3% e punonjësve të PK-së janë hetuar nga IPK-ja me dyshimin se kanë kryer vepra penale”.

Gjatë 2021-s, IPK-ja ka ndërmarrë 38 arrestime, 85 suspendime dhe 10 transfere.

Ndërkaq, njoftoi se këtë vit IPK-ja ka hetuar 33 raste të veprave penale me elemente të korrupsionit dhe veprave tjera kundër detyrës zyrtare .

Gjatë vitit 2021 janë realizuar këto inspektime, sipas IPK-së:

1. Menaxhimi i patrullimeve dhe sigurisë në rrugë (inspektim i rregullt);

2. Monitorimi i besueshmërisë dhe kënaqshmërisë së publikut me Policinë e Kosovës (inspektim i rregullt);;

3. Menaxhimi i hetimit dhe zbulimit të krimit (inspektim i rregullt);

4. Menaxhimi i kontratave të lidhura me operatorët ekonomik (inspektim i rregullt);

5. Trajtimi i personave të ndaluar përkohësisht në Stacionin Policor të Ferizajt (inspektim i jashtëzakonshëm);

6. Vlerësimi i performancës së stacioneve policore në Obiliq, Podujevë dhe Skenderaj (inspektim i jashtëzakonshëm);

7. Menaxhimi, funksionimi dhe aktivitetet hetimore të Drejtorisë së Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (inspektim i jashtëzakonshëm);

8. Kryerja e detyrave gjatë trajtimit policor të rasteve të dhunës në familje (inspektim i jashtëzakonshëm);

9. Vlerësimi i performancës policore në realizimin e urdhëresave të gjykatave (inspektim i jashtëzakonshëm).