Arbëri

Haradinaj për ngritjen e çmimeve: Vepro ose lësho rrugë Albin Kurti

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të veprojë kundër ngritjes enorme të çmimeve të produkteve bazike ose të dorëhiqet.

“Vepro ose lësho rrugë Albin Kurti. A je në tokë të bukës o Albin Kurti. Kush është ka ta saboton shtetin?! A po sheh se matrapazët po ta godasin popullin. Një litër vaj brenda natës po të shtrenjtohet gati dyfish!”, ka thënë ai në një shkrim në Facebook. “A je edhe ti pjesë e këtij skenari, apo je shndërruar në “komisar për moral”! Zgjohu o Kryeministër e kryeje detyrën që ta ka dhënë populli, ose lësho rrugë. A po e sheh se është ka soset durimi!”

Të enjten çmimi i një litre vaj të lulediellit në disa dyqane është shitur me çmimin 3.5 euro, përderisa vetëm një ditë më parë gjendej me çmim 2.3 euro.

Ndaj shtrentjimit të vajit ka reaguar edhe deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ish-ministër i Bujqësisë. 

“Vaji: pardje 1.59, dje 2.39 dhe sot 3.49. Në vend që të bëjnë zgjidhje, Qeveria bën hajgare ‘qojeni miellin në furra’ dhe ‘kjo është kostoja e lirisë’. Vajit çka me i bë, boss? Ku me qu?” ka shkruar Mustafa.

Reagim qeverisë i ka kërkuar edhe ish-ministrja e Financës, Hykmete Bajrami. Ajo ka thënë se “partia në pushtet po e shpërfill votën e popullit”.

“Qeveria e Kosovës, Kryeministri i Republikës dhe partia në pushtet duhet të marrin masa dhe të aktivizojnë inspektorët pasi çmimet janë duke u rritur sikur Kosova të ishte në luftë. Partia në pushtet duhet të gjejë zgjidhje pasi mosreagimi do të prodhojë krizë të thellë në të gjitha fushat. Në këtë situatë, i bëj thirrje Doganës së Kosovës të publikojë çmimet e importit të vajit ushqimor për dje dhe sot. Ju bëj thirrje medieve që shkojnë në pikat doganore dhe të shohin nga afër faturat e importit për vajin dhe produktet e tjera. Nuk po mbjellim ne panik, panik po shkaktojnë çmimet derisa qeveria po heshtë e inspektorati askund. Kjo Qeveri veç e popullit nuk është anipse ka marrë 51 për qind. Partia në pushtet ka harruar se është votuar për të bërë zgjidhje, për të përmirësuar jetën e qytetarëve!” ka thënë ajo.