Arbëri

Nagavci: Pandemia mund të reflektojë në rezultatin e sivjetmë të PISA-s

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, deklaroi se dy testet e fundit në PISA, ishin alarm i fundit për Kosovën, në aspektin e politikbërjes por edhe në atë të nivelit të mësimdhënies. Ajo deklaroi për KTV-në se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për testin e sivjetmë, derisa tha se pandemia në vitet e fundit mund të reflektojë edhe në rezultatin e këtij testi.

“Rezultatet nga testi i fundit PISA nuk kanë qenë të mira. Kemi qenë në një gjendje jo të mirë, dhe unë shpresoj që ka qenë alarmi i fundit për të gjithë, edhe në nivel të politikbërjës, por edhe në nivel të mësimdhënies, të punës që nxënësit e bëjnë përditë. Jemi dëshmitarë që dy vitet e fundit, jo vetëm në Republikën e Kosovës po gjithandej në botë, janë krijuar zbrazëti të shumta. Shkollat kanë pasur goditje të mëdha në të gjitha vendet e botës, e kjo kam frikë se do të reflektojë në rezultatet e PISA-s”, tha ajo.

Sipas ministres Nagavci, dhuna në shkolla është e dënueshme, derisa tha se ndonëse legjislacioni konkret për luftimin e dhunës është i kompletuar, ende ka raste kur rastet nuk raportohen siç duhet.

“Si Ministri, kemi pasur një varg aktivitetesh, qoftë trajnime me zyrtarët e arsimit, vetëdijësimin, reagimin me kohë dhe përkujdesjen që duhet bërë përpara se të ndodhin rastet, që t'i shmangim rastet, por pasur parasysh gjithë këtë seriozitet që është për shkak të raportimit, sa më shumë që raportohen rastet, ka vëmendje për t'i zgjidhur ato. Shumë shpejt do të kemi edhe vendime që janë të rëndësishme në koordinim me punën e nivelit lokal me atë qendror”.

Ajo shtoi gjithashtu se numri i psikologëve është i vogël dhe se synohet që të rritet.