Arbëri

PDK-ja kërkon që Qeveria t’i ndajë 100 milionë euro për ushtrinë

Descriptive Text

Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi - Ramaj, ka thënë sot në një konferencë për media se Qeveria e Kosovës duhet të ndajë 100 milionë euro për ushtrinë, marrë parasysh gjendjen e krijuar nga agresioni rus në Ukrainë.

"Ne vlerësojmë se është krejt legjitime dhe e domosdoshme, që në këtë moment kyç për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, Kosova duhet t’i forcojë kapacitetet e veta ushtarake. Për t’iu përgjigjur kësaj nevoje, Partia Demokratike e Kosovës kërkon nga Qeveria, që ta sjellë brenda javëve në vazhdim, në afat sa më të shkurtë por gjithsesi brenda këtij muaji, rishikimin e buxhetit për vitin 2022. Konkretisht, kërkojmë nga Qeveria që nga shpenzimet kapitale të parapara për këtë vit, të cilat janë përllogaritur në vlerë prej 554 milion eurosh, të merren 100 milion euro dhe të njëjtat të ri destinohen për nevojat e ushtrisë”, ka thënë ajo.

PDK-ja sipas saj vlerëson se nuk ka prioritet më të madh për Kosovën, sesa forcimi i kapaciteteve të mbrojtjes dhe sigurisë, në mënyrë që Ushtria e Kosovës të jetë e gatshme që t'i kontribuojë ruajtjes së paqes dhe sigurisë në vendin tonë.

"Po ashtu, meqenëse rruga e Kosovës është shumë e qartë dhe aspiratat tona për anëtarësim në NATO kanë edhe implikime buxhetore, kërkojmë që për çdo vit, buxheti i shtetit që ndahet për ushtrinë tonë, të kapë vlerën e minimum 2 për qind të GDP-së së vendit, konform vendimit të ministrave të Mbrojtjes së NATOs që është marrë në qershor të 2006”, është shprehur ajo.

Image