Arbëri

Problemet e MPJ-së me shërbimet postare

Kontesti me borxhin prej 60 mijë eurosh nuk e ka penguar Ministrinë e Punëve të Jashtme që ta përzgjedhë kompaninë e njëjtë për ofrimin e shërbimeve postare.

Për shkak të mos pagesës së faturave, kompania “3P SHPK” që është degë e DHL-ës në Kosovë e kishte çuar MPJ-në tek përmbaruesi.

Grafika: Dokumenti i borxhit, vendimi i Gjykatës

Nëpërmjet vendimit që mban datën 13 dhjetor 2021, përmbaruesi kishte urdhëruar ministrinë për pagimin e borxhit në shumë prej 61 mijë e 673 euro, me kamatë ligjore prej 8 për qind.

Por MPJ-ja e përfaqësuar nga avokatura shtetërore i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prishtinë rrëzimin e vendimit të përmbaruesit, me pretendimin se “Provat nga ana e Kreditorit nuk kanë titull ekzekutiv, janë të pabazuara dhe se faturat e paraqitura nga kompania nuk kanë qenë të nënshkruara nga zyrtarët e MPJ-së”.

Çështja aktualisht është duke u trajtuar nga Gjykata dhe nuk ka marrë epilog.

Pavarësisht borxhit, kompania e njëjtë kishte fituar tenderët pasues në aktivitetin e prokurimit që është shoqëruar me vonesa e pretendime për dallavare. Atij ende nuk i është vënë pika.

e parë ishte hapur në korrik të vitit të kaluar, por një muaj më vonë tenderi anulohet me arsyetimin e mungesës së buxhetit.

Tenderi ishte rihapur më 3 shtator dhe atë e kishte fituar Kompania “3P ShPK”. Por pas ankesës së njërës prej kompanive pjesëmarrëse në tender, lënda kishte përfunduar në OSHP. Kjo bëri që MPJ-ja ta pezullojë procesin në pritje të vendimit të gjykatës së tenderëve.

Në mungesë të bordit, OSHP-ja nuk është aktive prej marsit të vitit të kaluar, rrjedhimisht nuk mund të shqyrtohen as ankesat e operatorëve. E, MPJ-ja vendos të shpallë përsëri “Tender emergjent” dhe me “procedure të negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës”.

Por, sipas burimeve tenderi është zhvilluar me procedurë të rregullt. E vetmja gjë e konsideruar emergjente është afati i dorëzimit të ofertës të cilin e fitoi prapë kompania “DHL Express”.

Ankesa e njërit prej operatorëve e çon sërish lëndën në OSHP dhe MPJ-ja fillimisht pezullon procesin.

Por më 24 janar ky dikaster nxjerr vendim mbi heqjen e pezullimit të aktivitetit të prokurimit dhe fton zyrtarët e DHL Express në zyrat e saj për nënshkrim të kontratës “emergjente”, edhe pse nuk ka një vendim të OSHP-së.

Sipas burimeve, edhe pse në fillim zyrtaret e “DHL Express” nuk kanë pranuar nënshkrimin e kontratës “emergjente”, pastaj e kanë bërë këtë me arsyen se i ka lutur ministria për shkak të bllokadave që janë shkaktuar nëpër ambasada.

Prej një javësh, “KOHA” ka pritur sqarimet e MPJ-së por nuk kanë ofruar përgjigje në pyetjet e “Kohës”. Sqarime nuk kanë dhënë as prej kompanisë “DHL Express”.

Pasi morri drejtimin e Ministrisë, Gërvalla kishte vendosur që rolin e postierit ta kryejë vetë ministria duke mos kontraktuar kompani postare. Kjo ishte bërë duke angazhuar shoferët që t’i shpërndajnë dokumentet nëpër ambasada dhe konsullata. Por burime brenda ministrisë kanë thënë se janë shkaktuar telashe pasi nuk kanë arritur të procedohen me kohë dokumentet për bashkatdhetarët.