Arbëri

Vendimi i Qeverisë për naftëtarët po shihet si ad’hoc, kërkohet komunikimi me bizneset

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për përcaktimin e çmimeve shitëse maksimale të naftës, i marrë të mërkurën, po shihet si ad’hoc nga Shoqata e Naftëtarëve, derisa ish-Ministri i Tregtisë, Ismet Mulaj, ka thënë se Qeveria para se të marrë vendime të tilla, duhet të komunikojë me bizneset.

Sipas vendimit, te shitësit me shumicë vendoset marzha më e lartë tregtare deri në 4 për qind të çmimit të shitjes, tek ata me pakicë deri 6 për qind të shitjes.

Tahir Zogaj, nga Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës ka thënë në “60 Minuta” të KTV-së se kjo shoqatë nuk është konsultuar.

Sipas tij, asnjë kompani e naftëtarëve nuk e ka fitimin 6% pas shpenzimeve totale.

“Vendimi është marrë ad hoc, nuk është konsultuar Shoqata e Naftëtarëve. Ne jemi vend shumë i vogël, derivatet i kemi import. Rezervat shtetërore janë shumë të vogla. Qeveria nuk ka rezerva që mund ta mbulojë këtë. Ne patëm një takim me Odën Ekonomike dhe me ministren e Tregtisë nga e cila kërkuam një vendim shpjegues se si kanë ardhur deri te 6% te shitja me pakicë dhe 4% të shitja me shumicë. Nëse është vetëm 6% nga çmimi aktual, bizneset asnjë nuk mund ta mbulojnë sepse janë pagat e punëtorëve, shpenzimet e energjisë elektrike, kostot e mirëmbajtës së aparaturave. Asnjë kompani nuk e ka fitimi 6% pas këtyre shpenzimeve. Nëse 1-2% mbesin të pastra për biznesin, është sukses, pasi të mbulohen të gjitha shpenzimet”, ka thënë Zogaj.

Ndërkaq, ish-ministri i Tregtisë, Ismet Mulaj, ka thënë se nuk sheh bazë ligjore se si do ta zbatojë Qeveria këtë vendim.

“Vendimi për naftëtarët ka dy probleme. Vendimet e këtij lloji duhet të merren në komunikim me biznesin. E dyta është baza ligjore. Si do të implementohet, për shkak se marzhi i fitimit a është në bruto a në neto. Sepse nëse është në neto kush do ta kalkulojë këtë, ATK-ja, Inspektorati? Marzha e fitimit prej 6% mendoj se është e arsyeshme, por kam vështirësi se si do ta zbatojnë. Ne nuk kemi instrumenta ligjor që mund ta përcaktojmë marzhën e fitimit të një biznesi. Ky vendim nuk ia di bazën ligjore, nuk gjeta bazë ligjore se ku janë bazuar. Ligji i Vjetër nuk parasheh se Qeveria me një vendim mund ta parashohë marzhën e fitimit të një biznesi”, ka thënë Mulaj në “60 Minuta” të KTV-së.

Ai ka shtuar se Qeveria duhet t’i ndihmojë bizneset dhe t’i orientojë ato nëpër tregjet e mëdha.