Arbëri

Naftëtarët e kundërshtojnë vendimin e Qeverisë

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani ka thënë se ka pasur shqetësime nga naftëtarët për vendimin e Qeverisë.

Ka thënë se në emër të Shoqatës do të kundërshtojnë vendimin pasi është shqetësues dhe i dëmton bizneset dhe i falimenton.

Bislim Muçaj nga Lab Oil ka thënë se vendimi i Qeverisë bie në kundërshtim me ligjin.

Sipas tij, vendimi është bërë për të mbrojtur konsumatorin, por që siç ka thënë mbrojtja e konsumatorit bëhet me ulje të akcizës.

Naftëtarët kanë kërkuar që marzha e fitimit të rritet dhe të mos jetë 6 për qind.

Kryetari i shoqatës, Fadil Berjani ka thënë se do të kenë takim me ministren e Tregtisë Rozeta Hajdari për të diskutuar lidhur me këtë vendim.

Sipas tyre ka paqartësi se si do të paraqitet edhe kjo përqindje dhe nuk ka as shpjegim si do të implementohet.

Kërkesat e Shoqatës së naftëtarëve:

1. Të pezullohet vendimi nga Qeveria

2. Kushtetutshmëria se a janë përmbushur kushtet ligjore nga neni 11 në të cilën thirret vendimi.

3. Mbi çfarë studimi është bërë përcaktimi i 6 për qind

4. Shoqata është e gatshme të japë kontributin për të hartuar një vendim të ri në të mirë të konsumatorëve dhe shoqatës.

5. Nëse nuk pezullohet vendimi do të shqyrtohet mundësia për pezullim të aktivitetit për periudhë 90 ditore.

Këto kërkesa do t'ia paraqesin Ministres së Tregtisë dhe Industrisë në takimin që do të mbahet në ora 14:30.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të martën ka marrë vendim që të përcaktojë çmimet shitëse maksimale tregtare me shumicë dhe pakicë.

Këtë vendim Qeveria ka thënë se e ka marrë për mbrojtjen e konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve në treg me naftë dhe derivate të naftës.

“Me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve dhe eliminimit të çrregullimeve në treg me naftë dhe derivate të naftës në Republikën e Kosovës, Qeveria mori vendim që të përcaktojë çmimet shitëse maksimale/marzhat tregtare me shumicë dhe pakicë”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Te shitësit me shumicë vendoset marzha më e lartë tregtare deri në 4 për qind të çmimit të shitjes, tek ata me pakicë deri 6 për qind të shitjes.

Sipas vendimit obligohen gjitha deponitë e pikat e shitjes së naftës të mbajnë në çdo kohë në stoqe së paku 5 për qind të kapaciteteve të tyre deponuese për qëllimeve të rezervave emergjente.