Arbëri

Parashikohet rritje e përgjithshme e çmimeve dhe e kriptovalutave

Rritje të çmimeve të shumicës së produkteve parashihet të ketë në periudhën në vijim, sipas ekspertit të tregjeve financiare, Emanuel Bajra, për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe ndërmarrjes së sanksioneve nga Perëndimi ndaj Rusisë. Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Bajra ka thënë se tash pritet edhe rritje e vlerës së kriptovalutave pasi ai treg do të shfrytëzohet nga oligarkët rusë për investime.

Sipas Bajrës, ngritja e nisur e çmimit të naftës do të ketë efekte zinxhirore edhe në ngritjen e çmimit të produkteve ushqimore. Një rritje të përgjithshme prej 1-2 për qind ai ka thënë se e pret brenda një muaji. Ai ka thënë se pasi që Ukraina ka qenë ndër shtetet prodhuese më të mëdha të miellit, pushtimi rus i Ukrainës do të bëjë të ketë ngritje të çmimeve edhe në këtë treg shumë shpejt.

Për tregjet në përgjithësi, Bajra ka thënë se ka pasur lëvizje të dukshme në ditët e fundit, por jo “goditje të madhe”, për shkak të tërheqjes së bursës ruse. Ai ka thënë se ka pasiguri e nervozizëm tek investitorët, ndërsa ka thënë se ajo do të rritet po që se Rusia avancon me pushtimin e saj dhe i afrohet eurozonës.

“Nafta është aseti më i vlerësuar dhe ari. Janë të kundërta me njëra-tjetrën. Nafta është më funksionale për të gjithë tregun global. Varësia në të është shumë e madhe. Çka po ndodh tani është që Rusia është bllokuar në ato farë gypat e vet të eksportimit, përveç një ose dy amerikane që ende po blejnë naftë ruse. Nëse në dy ditët e ardhshme pritet edhe kjo tërheqje dhe e plotë e Amerikës nga blerja e naftës ruse, do të ketë rritje të çmimit të naftës, që do të ndjekë rritje të çmimit të ushqimit e të vlerës së euros që s’është e mirë për konsumatorin”, ka thënë ai.

Bajra ka thënë se s’pret që të ketë efekte të mëdha tek investimet e Trustit.

“S’duhet të kemi frikë në humbje të vlerës totale, por tregu është luhatë dhe kjo do të ndihet. Është e pashmangshme”, ka thënë ai duke shtuar se do të ketë pak humbje, por që do të rikuperohet nëse kthehet paqja.

Për rritjen e vlerës së kriptovalutave orëve të fundit ai ka thënë se gisht kanë oligarkët rusë që kanë tërhequr miliarda nga tregjet para shpërthimit të luftës e që tash gradualisht po i investojnë në këtë treg.

“Kriptovalutat do t’i shohim me ngritje të vazhdueshme graduale sepse oligarkët s’i investojnë të gjitha por gradualisht”, ka thënë Bajra duke shtuar se ky treg s’mund të kontrollohet nga shtetet, që nën kontroll mund t’i vënë vetëm mihësit.