Arbëri

Duraku: Kosova ka mungesë të rreth 5,000 infermierëve

Brenda sistemit shëndetësor të Kosovës ka mungesë të rreth 5,000 infermierëve në mënyrë që të zhvillohet veprimtaria në mënyrë të duhur, ka thënë Enlirat Duraku, nënkryetar i Sindikatës së Infermierëve të Kosovës.

Në emisionin “SOT” të KTV-së, Duraku ka folur rreth marshit që do të mbahet sot në Prishtinë, organizuar nga Sindikata e Infermierëve të Kosovës, në bashkëpunim me Odën e Infermierëve të Kosovës dhe Shoqatat e Profesionistëve Shëndetësor, me moton “Pagë dinjitoze”.

Duke folur rreth Projektligjit për Pagat dhe publikimit të tabelave me koeficientë, Duraku ka thënë se infermierët në Kosovë kanë dallime të mëdha me ata koeficientë.

“Tabela me koeficientë nxiti reagimin tonë pasi që brenda saj, mohohet ekzistenca e draftit final dhe vlerën e koeficientit mirëpo nuk e mohoi tabelaren si jovalide sepse brenda asaj tabele, komuniteti ynë kishim dallim substancial në dallim me ata koeficientë. Jemi dëshmitar dhe e dimë punën dhe angazhimin e infermierëve”, ka thënë Duraku.

Sipas tij, nuk ka ndonjë komunitet që është më i stërngarkuar me punë në Kosovë se komuniteti i infermierëve.

Nuk ka ndonjë komunitet që është më i stërngarkuar me punë se infermieri në Kosovë. Punon punë administrative, higjieno-sanitare, sigurimin e hapësirave të objekteve nëpër institucionet ku punojnë. Ka shumë faktorë që infermierët me eksperiencë dhe kualitativ për këto shkaqe janë duke e lënë Kosovën. Ne na shqetëson qetësia e institucioneve, pasi në një të ardhme shumë të afërt Kosova do të rrezikohet nga dhënia e shërbimeve cilësore infermierore. Në shumicën e klinikave ka raste kur një infermier kujdeset deri në 30 pacientë vetëm në QKUK pa i llogaritur dhe spitalet regjionale dhe institucionet e tjera shëndetësore. Ne konsiderojmë që brenda sistemit shëndetësor ka mungesë për deri 5000 infermierë në mënyrë që të mundësohet zhvillimi i veprimtarisë infermierore në mënyrë të duhur”, është shprehur Duraku.

Marshi i infermierëve do të fillojë në QKUK për të vazhduar te sheshi Zahir Pajaziti dhe më pas te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.