Arbëri

A po i harmonizojnë Vetëvendosje e LDK programet për formimin e Qeverisë

Në kohën kur ende Presidenti nuk ka thirrur seancën konstituive, dy blloqet politike janë duke provuar harmonizimin e programeve për krijimin e Qeverisë, raporton KTV.

Vetëvendosje është e bindur se Albin Kurti do të udhëheqë Qeverinë e ardhshme, derisa ai bashkë me Visar Ymerin, tashmë janë takuar me Isa Mustafën e Avdullah Hotin.

Në këtë takim të nivelit të lartë mes partive, është dakorduar në parim për bashkëpunim, derisa pritet të kjo të finalizohet ndërmjet grupeve të ekspertëve të dy partive.

Këto grupe, sipas Kadajt, do të harmonizonin programin qeverisës të partive.

Të dy bashkë, kanë fituar 61 deputetë në Kuvendin e Kosovës, që është shumica e nevojshme për krijimin e Qeverisë.

KohaVisioni ka provuar të marrë një qëndrim për këtë edhe me zyrtarë të LDK-së, por askush nuk ka qenë i gatshëm të flasë.

Sikur partia e Mustafës, ashtu edhe Vetëvendosje, tashmë kanë refuzuar çfarëdo takimi me Ramush Haradinajn, mandatarin për kryeministër nga PAN-i.

Ai është takuar deri tani vetëm me partitë minoritare, derisa ka bërë të ditur se do të provojë që të takojë edhe deputetë individualisht për t’i bindur që të votojnë qeverinë e tij dhe të PDK-së.