Arbëri

KESCO me sqarim për faturat dërguar konsumatorëve

KESCO ka dal me sqarim në lidhje me faturat që i janë dërguar konsumatorëve për muajin shkurt.

Nga KESCO është thënë se shpenzimet deri më 9 shkurt janë llogaritur me tarifa të vjetra ndërsa nga 9 shkurti me të reja.

“Dizajni i faturës i aprovuar nga ZRRE, i është përshtatur nevojave të faturimit sipas ndryshimeve të strukturës së re tarifore. Kalkulimet sipas blloqeve, paraqiten sipas leximit të rregullt dhe strukturës së re të aprovuar. Gjithashtu, konsumatorët në rubrikën “Neto” e kanë të paraqitur shpenzimin total. Megjithatë, për shkak se tarifat e reja kanë hyrë në fuqi më datën 9 shkurt dhe pjesa e shpenzuar para datës 9 shkurt llogaritet me tarifat e vjetra, në rubrikën “Totali i faturës” paraqitet obligimi që konsumatorët e kanë për pagesë dhe e njëjta është më e ulët sesa vlera e paraqitur te rubrika ‘Neto’. Diferenca në mes “Neto” dhe “Totali i faturës” është pikërisht si rezultat i llogaritjes së konsumit me tarifa të vjetra para datës 9 shkurt dhe njehsimit nga zero i bllokut nga data 9 shkurt pavarësisht shpenzimit që konsumatorët kanë bërë deri më datën 9 shkurt. Kjo diferencë është shpjeguar në pjesën e poshtme të faturës, në formë tekstuale (të shkruar), përfshirë edhe ditët për të cilat janë aplikuar tarifat e vjetra”, thuhet nga KESCO.

KESCO njofton se nga muaji i ardhshëm, vlerat ndërmjet rubrikave “Neto + TVSH” dhe “Totali i faturës” do të jenë të barabarta.

“Për ta bërë sa më të lehtë leximin e faturës dhe logjikën e kalkulimit, në ueb-faqen e KESCO-s është integruar forma e kalkulimit ku konsumatori do të vendos të dhënat, me ç’rast do t’i gjenerohet kalkulimi në detaje i faturës së fundit duke përfshirë ndarjen e kilovatëve para dhe pas 9 shkurtit, kalkulimi i secilit kilovatë me çmimin përkatës, si dhe shuma e kilovatëve të faturuar në bllokun me tarifa të ngritura”, thuhet nga KESCO.

Këtë formë të kalkulimit, mund ta gjeni duke klikuar këtu!