Arbëri

Miratohet në parim Projektligji për policinë ushtarake, Mehaj: Kosova më afër NATO-s

Kuvendi i Kosovës me 61 vota pro ka votuar në parim Projektligjin për policinë ushtarake në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Arsyetimin e këtij projektligji e ka bërë, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili tha se rregullimi i misionit dhe statusit të policisë ushtarake me ligj është një hap drejt anëtarësimit në NATO.

“Është hera e parë që statusi dhe misioni i policisë ushtarake rregullohet me ligj të veçantë. Duke marrë parasysh se synimi Kosovës është anëtarësimi në NATO, rregullimi i misionit dhe statusit të policisë ushtarake me ligj është një hap drejt realizimit të këtij synimi strategjik të Republikës së Kosovës. Prandaj kërkoj që policia ushtarake të ketë autorizime specifike ligjore në mbështetje të misionit. Andaj, Ministria e Mbrojtjes kërkon shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektligji”, tha ai.

Për votimin e këtij projektligj është dashur të pritet të bëhet kuorumi, por kryeparlamentari Glauk Konjufca përmendi edhe masat që duhet të merren ndaj deputetëve për të funksionuar si duhet Kuvendi i Kosovës.

“Po më duket pa e bërë si në shkollë fillore me tri mungesa nuk funksionon ky Kuvend. Mirë, 61 me ‘mezi’”, theksoi Konjufca.

Ndërsa, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Arkivat Shtetërore është shtyrë për një seancë tjetër, për shkak të mungesës së ministrit të Kulturës, Hajrullah Çeku../KSP

 


LDK-ja lëshon sallën e Kuvendit, akuza për mosrespektim të rregullores

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë lëshuar sallën e Kuvendit në seancën e sotme plenare. Deputetët opozitarë shprehen vërejtjet e tyre për mosrespektim të rregullores së Kuvendit, në momentin e tejkalimit të pikave të rendit të ditës për shkak të mungesës së paraqitjes së dy projektligjeve nga ministri i MKRS-së, Hajrullah Çeku dhe ministrja e MAShTI-t, Arbërie Nagavci.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj tha se kjo mënyrë e bartjes së pikave nuk ka funksionuar asnjëherë në Kuvend.

“Respektimin e rregullores, duhet dikush të respektojë një kërkesë për mocion procedural për tu shtyrë dhe bartur për seancë tjetër, një çështje që kemi votuar për rend të ditës. Nuk mundemi kështu, s’janë ministrat hajt po këqyrim deri të kthehet dikush. Kjo s’ka funksionuar asnjëherë edhe me rregullore është e përcaktuar”, tha ai.

Pavarësisht kësaj, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se do të vazhdohet në mënyrën e bartjes së pikave të rendit të ditës, pa nevojë për mocion procedural.

“Duke marrë parasysh përvojën dhe traditën e deritanishme vazhdojmë me çka kemi mundësi”, tha ai.

Kuvendi po vazhdon punimet, ku u miratua Projektligji për sistemin e menaxhimit, performancës së komunave dhe skemën e garantit të bazuar në performancë./KSP


Dështon miratimi i Projektligjit për financimin e partive politike

Ka dështuar në Kuvendin e Kosovës votimi i Projektligjit për financimin e subjekteve politike.

Këtë projektligj e ka arsyetuar kryeministri Albin Kurti i cili tha se me synim arritjen e pajtueshmërisë ndërmjet partive politike për formën përfundimtare të këtij projektligji, Zyra e Kryeministrit ka organizuar tryezë diskutimi, por sipas tij, vetëm dy grupe parlamentare i janë përgjigjur ftesës.

Kryeministri Kurti tha se në këtë mënyrë konsensusi nuk është arritur.

Shefi i ekzekutivit shtoi se përmes Projektligjit të financimit të partive politike rritet transparenca dhe llogaridhënia ndaj publikut dhe më këtë vota arsyetohet.

Sipas tij, shkeljet e ndryshme të raportuara në media kanë shpërfaqur financimin jashtëligjshëm të partive politike dhe ndërlidhjes me korrupsionin.

“Miratimi i këtij projektligji është pjesë e agjendës evropiane për reforma dhe rekomandim i Raportit të Komisionit Evropian për vendin, por edhe kërkesë e qytetarëve dhe shoqërisë civile për transparencë në financat e partive politike. Si Qeveri jemi zotuar se do ta sjellim këtë projektligj në Kuvend dhe këtë e kemi bërë. Mirëpo, është përgjegjësi e jona kolektive që këtë projektligj ta miratojmë sa më parë. Ky projektligj është i domosdoshëm për transparencën e financimit të partive politike e me qëllim të fuqizimit të luftës kundër korrupsionit. Për ne është e rëndësishme që projektligji të përcaktojë qartë burimet e financimit, shumat e lejueshme dhe të ofrojë transparencë maksimale”, theksoi ai.

Për projektligjin në fjalë, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku theksoi se GP i partisë së tij nuk e mbështet këtë, pasi sipas tij, është në kundërshtim me Kushtetutën.

Ai tha se projektligji duhet të harmonizohet me Kushtetutën dhe ligjet ngase në këtë formë nuk arrihet llogaridhënia dhe transparenca e subjekteve politike.

“Të njëjtin projektligj që ka qenë kaq kundërshtues atëherë tash e keni sjellë pa asnjë ndryshim, ku po pretendoni se gjoja se po vendosni rregull me ketë projektligj. Kjo situatë nuk po iu bën nder, sepse ju po e paraqitni veten si të padijshëm atëherë, ndërsa sot si mashtrues. Ky projektligj duhet të punohet në mënyrë të harmonizuar me Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë. Kështu siç është hartuar nuk arrihet ajo që synohet për transparencë, llogaridhënie të subjekteve politike dhe në kundërshtim me Kushtetutën. Si i tillë, ne si Grup Parlamentar nuk e mbështesim”, u shpreh Lushtaku.

Derisa u shqyrtua ky projektligj, deputetët e LDK-së nuk ishin në seancën plenare.