Arbëri

Pos 53 mln euro, Qeveria Haradinaj ja dha edhe 44.1 mln Bechtelit në emër të “punëve shtesë”

Qeveria e Kosovës në kohën e kryeministrit, Ramush Haradinaj nuk ja ka paguar vetëm 53 milionë euro shtesë konserciumit “Bechtel Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.

Në kohën kur Ministria e Infrastrukturës udhëhiqej nga ish-ministri Pal Lekaj, në emër të punëve shtesë “Bechtel Enkas” iu paguan edhe 44.1 milionë euro të tjera.

Një gjë e tillë konfirmohet nga dëshmia e Ramë Qupevës dhënë Prokurorisë së Shtetit për aferën e pagesës së 53 milionë eurove. Qupeva është drejtor i departamentit të infrastrukturës rrugore në Ministri të Infrastrukturës e atëkohë ishte anëtar i Njësisë për Implementimin e projektit.

Në dëshminë e tij dhënë hetuesisë, të cilën e ka KOHA, ai ka folur për këtë pagesë.

“Lidhur me vendimin për ekzekutim të kostos në shumë prej 44,166,151.34 eurosh, dëshmitari ka shtuar se punët shtesë janë të parapara me ligjin (LPP) dhe në këtë rast njësia ka pasur rolin e komisionit teknik i cili ka miratuar ndërsa kompania mbikëqyrëse rolin e mbikëqyrësit direkt dhe të certifikuesit të punimeve e cila kërkohet sipas procedurave të prokurimit në fuqi”.

Qupeva në këtë deklaratë ka dhënë shpjegim se kjo shumë në masë të madhe është shfrytëzuar për dislokim të instalimeve gjatë trasesë së autostradës.

Ndërsa ka thënë se atë e ka autorizuar ish-ministri Lekaj që të nënshkruaj një formë të marrëveshjes për këtë çështje.

“Sipas dëshmitarit, kërkesa për pagesë prej 44 milionë euro, i është dorëzuar për miratim kryesuesit të KDNM-së, z. Pal Lekaj nga ana e Njësisë implementuese të projektit, pra konkretisht nga ana ime dhe me nënshkrimin e secilit anëtar të njësisë. Për këtë çështje nuk ka pasur takim të Komitetit drejtues ndërministror, por ekziston vendimi i kryesuesit të KDNM-së z. Pal Lekaj, i cili e ka autorizuar dëshmitarin që të nënshkruajë formën e marrëveshjes”.

Ai në deklaratën e dhënë në hetuesi e ka bërë të qartë që kjo pagesë është shtesë e jo e njëjta me atë të 53 milionëshit.

“Ndërsa për sa i përket pagesës prej 44 milionë eurosh, dëshmitari ka shtuar se e njëjta është bërë në emër të punëve shtesë dhe nuk lidhet me pagesën prej 53.1 milionë eurosh, e cila pagesë është bërë në emër të zgjatjes së afatit të kontratës”.

KOHA ka provuar ta kontaktojë Qupevën.

Ai posa e ka kuptuar që e ka telefonuar KTV-ja, ka thënë që nuk po dëgjon dhe e ka ndalur telefonin.

Gazetarja: Zoti Qupeva

Qupeva: Po

Gazetarja: Jemi nga KTV

Qupeva: O s’po dëgjohesh. Alo, alo

Kontrata për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi” ishte e tipit me çelës në dorë. Në këto lloj kontratash pune kryesi e merr përgjegjësinë që me çmimin e paraparë të kryheshin krejt punët.

Një shpjegim të tillë e ka dhënë edhe zyrtari përgjegjës i “Bechtel Enkas” për këtë projekt, Rijal Alhazragji në dëshminë e tij dhënë prokurorisë.

“Dëshmitari ka deklaruar se definicioni i "çelësave në dorë" nënkupton se "Bechtel Enka" ishte përgjegjëse për dizajnimin dhe ndërtimin e projektit në shkëmbim të shumës së vendosur në marrëveshje dhe në fund të kontratës, ne si kompani duhet të dorëzojmë një autostradë të përfunduar te punëdhënësi”.

Për juristin Isuf Zejna, nuk përjashtohet mundësia që kontrata është bërë në atë mënyrë që i është mundësuar konserciumit të kërkojë fonde shtesë.

“Megjithëse unë nuk e kam lexuar kontratën dhe as aneksin e saj dhe është e vështirë të jepen vlerësime pa e parë dokumentin kur as nuk e dimë nëse ligji i aplikueshëm në këtë kontratë është ai i Kosovës. Nën supozimin që kontrata është e nënshkruar sipas Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve, kur një kontratë është e lidhur me dispozitën “çelësi në dorë” nuk mund të kërkohet mjete shtesë për punët e paparashikuara, pasi që vet kjo dispozitë vendoset në kontrata për ti shmangur këto situata. Në ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve Neni 655 [Kontrata për ndërtimin me dispozitë të veçantë] thuhet: “1. Në qoftë se kontrata për ndërtimin përmban dispozitën "çelësi në dorë" ose ndonjë dispozitë tjetër të ngjashme, kryerësi detyrohet në mënyrë të pavarur që të kryejë së bashku të gjitha punimet e nevojshme për ndërtimin dhe përdorimin e objektit të caktuar të tërësishëm. 2. Në këtë rast, çmimi i kontraktuar përfshin edhe vlerën e të gjitha punimeve të paparashikuara e të tepricës së punimeve, ndërsa përjashton ndikimin e mungesave të punimeve në çmimin e kontraktuar.” Pra në kuptim të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve punët shtesë janë të përjashtuara, në rast se porositësi i punëve nuk ka kërkuar volum shtesë apo punë të tjera përveç atyre që janë parashikuar me kontratë. Por duhet theksuar se nga kontrata në fjalë në bazë të drafteve që janë publikuar më parë duket se është e hartuar në tërësi në favor të punë kryesit dhe nuk përjashtohet mundësia që në të njëjtën janë lënë edhe hapësira për të kërkuar fonde shtesë në raste të tilla”, thotë Zejna.

KOHA ka provuar ta kontaktojë edhe ish-ministrin Pal Lekaj, e edhe Ministrinë e Infrastrukturës, por ata nuk janë përgjigjur.