Arbëri

Disa komuna në Kosovë po e vuajnë mungesën e mësimdhënësve të fizikës dhe gjuhës gjermane

Në disa shkolla të komunave të Kosovës, mungesën e mësimdhënësve të gjuhës gjermane dhe fizikës po e pësojnë nxënësit.

Drejtoritë komunale të Arsimit janë të detyruara të kërkojnë alternativa të tjera, duke i punësuar studentët ose në raste të tjera mësimdhënësit e lëndës së gjuhës angleze të japin edhe gjermanishten.

Ministria e Arsimit thotë se për mungesa të tilla duhen bërë përpjekje maksimale që zëvendësimi të jetë sa më i kualifikuar i mundshëm.

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci në një deklaratë për KosovaPress, duke iu referuar mungesës së profileve të caktuara aktualisht tha se duhet të punohet edhe për të ardhmen duke rritur numrin e të pranuarve në profilet e fakulteteve për të cilat ka më shumë nevojë.

“Mungesë të mësimdhënësve sa i përket numrave nuk do të duhej të kishte, mund të ketë mungesë të profileve të caktuara siç është për shembull profili i gjuhës gjermane, ku njerëzit tani kanë mundësi të tjera të punësimit. Mendoj që në ato raste duhet të bëhen përpjekjet më të mira që të gjendet një zëvendësim sa më i kualifikuar që është e mundshme dhe natyrisht ne duhet të kemi kujdes që me fakultetet përkatëse të shtojmë numrat me rastin e regjistrimit në mënyrë që të ketë më shumë në të ardhmen ofertë në atë fushë”, tha Pupovci.

Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjakovë pranon se ka mungesa të kuadrit në lëndën e matematikës, gjuhës gjermane dhe fizikës. Drejtoresha Eranda Baçi tha për KosovaPress, se edhe procedurat e konkursit zgjasin dhe nxënësit janë të detyruar të ndjekin orët pa mësimdhënësin adekuat.

“Po kemi mungesa të mësimdhënësve, kryesisht të lëndës së matematikës, gjermanishtes dhe fizikës. Me lëndën e gjermanishtes kemi mungesë gjithashtu, 3 orë kanë mbetur pa u plotësuar. Konkursi për këtë lëndë ka qenë i hapur dhe vendimi është i datës 09.07.2021, në të cilën shumica prej kandidatëve nuk kanë qenë të diplomuar, por kanë qenë me kurse të ndryshme dhe absolventë të kësaj lënde. Kurse me fizikë e kemi të njëjtin problem, nuk ka kuadro dhe janë pranuar. Problem tek afati i konkursit për shkak të ligjit, është se zgjatë deri 2 muaj e gjysmë dhe tre, andaj mendoj se kjo po na krijon problem dhe po pëson nxënësi, për shkak të orëve të mbetura pa mësimdhënës. Është një kohë e gjatë e procedurave të konkursit për të cilën po na krijon probleme”, u shpreh Baçi.

E të njëjtin problem e ka edhe komuna e Pejës, ku gjuhën gjermane e cila është në plan programin shkollor për ciklin e mesëm të ulët, sipas drejtorit të Arsimit të kësaj komune, Naser Gega, e zhvillojnë mësimdhënësit e gjuhës angleze.

“Në disa shkolla këtë lëndë e zhvillojnë mësimdhënësit që janë të diplomuar të gjuhës angleze. Ata në kuadër të gjuhës angleze kanë edhe gjuhën gjermane, dhe po e zëvendësojnë. Ka ndonjë mungesë të theksuar por mungesë tejet e vogël është ajo e gjuhës gjermane në ndonjë shkollë në numër shumë simbolik”, tha Gega.

Mungesën e mësimdhënësve për lëndën e fizikës, e ka shprehur edhe drejtoresha e Arsimit në komunën e Gjilanit, Selvete Sylejmani. Ata, sipas saj, po i zëvendësojnë studentët që studiojnë fizikë.

“Përveç lëndës së fizikës ku nuk kemi mësimdhënës të diplomuar, është dashur të angazhohen studentët të lëndës së fizikës, kurse gjithë të tjerat kemi kuadro dhe gjendja është stabile”, thotë Sylejmani.

Nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, thonë se duhet të evidentohen shkollat ku ka mungesë të mësimdhënësve të lëndëve të ndryshme e pastaj t’i dërgojnë inspektorët e arsimit në këto shkolla për të verifikuar gjendjen. /KSP