Arbëri

31 vjet nga rrëzimi i bustit të diktatorit Enver Hoxha

Sot 31 vjet më parë, dhjetëra-mijëra qytetarë në Tiranë u ngritën për të shembur simbolin e komunizmit, pak muaj pasi regjimi i vjetër që po jetonte ditët e tij të fundit, kishte lejuar pluralizmin politik.

Rrëzimi i bustit të diktatorit komunist Enver Hoxha më 20 shkurt 1991, u nxit nga greva e urisë e ndërmarrë nga disa qindra studentë për t’i hequr universitetit emrin e tij.

20 shkurti tani është caktuar si dita e kujtesës kombëtare për martirët dhe viktimat e regjimit komunist. Ajo shënoi në fakt edhe fundin e diktaturës në Shqipëri.

Pamjet e atyre ngjarjeve, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë bënë xhiron e botës dhe e vunë edhe një herë Shqipërinë në fokus të zhvillimeve ndërkombëtare.

Rrëzimi i bustit të diktatorit Enver Hoxha do të shënonte edhe ndarjen me të shkuarën dhe fillimin e një epoke të re, atë të demokracisë për Shqipërinë. /KSP