Arbëri

Gjykatës i kërkohet t’i japë epilog zvarritjes në gjykimin ndaj Gogajt

Tash e 8 muaj, gjykimi ndaj Shaban Gogajt, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt, ka mbetur peng i vendimeve të institucioneve të drejtësisë.

Që nga përjashtimi i avokatit mbrojtës të tij, Besnik Berisha, asnjë avokat tjetër nuk ka pranuar ta përfaqësojë Gogajn. Arsye është vendimi i Odës së Avokatëve të Kosovës për të dalë kundër vendimit të gjykatës për përjashtimin e Berishës.

Madje, OAK-u po vazhdon ta shpërfillë edhe vendimin e ekzekutivit, që ta shfuqizojë vendimin e të parës. Nga OAK-u nëpërmjet telefonit kanë thënë se nuk duan ta komentojnë sërish këtë çështje.

Trupi gjykues në seancën e kaluar e ka gjobitur për të tretën herë avokatin të cilin e kishte caktuar vetë, teksa kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë të kërkojnë avokat edhe më tutje.

Megjithëkëtë, nga shoqëria civile thonë se ky rast nuk duhet të jetë peng i vendimeve të Odës apo ekzekutivit, porse Gjykata duhet t’i japë epilog kësaj.

“Pavarësisht të gjitha këtyre vendimeve qoftë të Odës, qoftë të Qeverisë, gjykata është ajo që nuk duhet ta prolongojë këtë rast, gjykata nuk duhet të varet nga vendimet eventuale si të Odës edhe Qeverisë, se edhe kodi i procedurës penale e paraqet shumë qartë”, ka thënë Leotrim Gashi nga IKD.

Sipas Gashit, Oda është duke e zvarritur pa ndonjë arsye këtë rast.

“I bëjmë thirrje Odës së Avokatëve që të largohet vendimi i tyre që nuk dërgojnë përfaqësues ligjorë, këtë rast avokat për ta përfaqësuar të pandehurin”, ka shtuar ai.

Teksa kryetarja e trupit gjykues ka thënë se do të kërkojë veprime edhe nga institucionet e drejtësisë, Ministria e Drejtësisë nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS për këtë dhe nëse do të ketë ndonjë masë ndëshkuese për OAK-në, e cila nuk po e zbaton vendimin e tyre.

Ky vendim i OAK-së, ishte kërkuar të tërhiqet edhe nga anëtarë të Këshillit Drejtues të këtij organi, të cilët vazhdimisht kanë kërkuar edhe dorëheqjen e kryesisë së Odës.

Agonis Tetaj u vra më 23 shtator të vitit 2018 në vendin e tij të punës.