Për vetëm 7 ditë, Kadrush Ilazi, pjesëtar i FSK-së, nuk arriti ta takonte asnjëherë babanë.
Babai i tij, emrin e të cilit e trashëgoi Ilazi, iu vra nga forcat serbe si ushtar i UÇK-së, një javë para së lindte pjesëtari i sotëm i ushtrisë së Kosovës.
Kjo histori e trishtë për të riun nga Firaja e Shtërpcës, ishte motivi kryesor që ai të niste rrugëtimin drejt Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Edhe pse nuk e njohu, pjesëtari i FSK-së gjithnjë kishte pyetur familjarët për tiparet e karakterin e babait, për çka edhe thotë se i ngjan shumë.
Për tre vjet me radhë, Ilazi tregoi aftësitë e tij, duke u bërë kështu edhe instruktor për gjeneratat e tjera.
Përjetimi i tij e formimi si person në prezencën e motrave dhe nënës, e ka bërë edhe më të ndjeshëm 22-vjeçarin.
Andaj, çdo herë thotë se i kujtohen familjet e dëshmorëve, me të cilët ndan të njëjtën dhimbje.
Kadrush Ilazi qëllimet i ka të qarta.
Më 2019, pra në rrethana krejt të tjera nga ato kur babai i tij kishte shërbyer në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, 22-vjeçari u bë pjesë e FSK-së. Ai shton se tani, në kohë paqeje, misioni për t’i kontribuuar vendit kryhet më lehtë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.