Arbëri

ZRRE-ja s’e shtyn për në mars aplikimin e tarifave të reja, KEDS-i del me një metodologji

Kërkesa e KESCO-s që aplikimi i tarifave të reja të fillojë nga faturat e muajit mars nuk është shqyrtuar fare nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Ky institucion ka bërë të ditur se vendimi për tarifa ka hyrë në fuqi nga 9 shkurti dhe se KESCO ka për obligim që ta zbatojë këtë vendim. Pas kësaj, KEDS-i ka dalë më një sqarim, në të cilin ka shpjeguar metodologjinë se si do të llogarisë energjinë e konsumuar gjatë shkurtit, para dhe pas hyrjes në fuqi të tarifave të reja

Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk e ka marrë parasysh propozimin e KESCO-s që aplikimi i tarifave të reja për rrymën të fillojë nga faturat e muajit mars.

Ky propozim ishte bërë shkaku i vështirësive që të bëhet prerja e gjendjes së leximit të matësve për një ditë për të gjithë konsumatorët.

Pas kësaj, KEDS-i ka dalë me një sqarim se si do të llogaritet tarifa e rrymës për muajin shkurt.

Sipas kësaj ndërmarrjeje, konsumi do të mblidhet në total të muajit e më pas do të ndahet në mesatare ditore. Ky konsum do të llogaritet në dy pjesë, nga data e leximit të faturës deri më 9 shkurt dhe nga 9 shkurti e gjer në datën e leximit të radhës.

“Faturimi deri më 9 shkurt do të llogaritet me tarifë të vjetër. Pastaj do të bëhet kalkulimi tjetër me tarifë të re. Pra, edhe nëse i keni shpenzuar më tepër se 800 kWh deri më 9 shkurt, ato nuk do të llogariten për të hyrë në bllok-tarifë, por kalkulimi do të fillojë sërish nga zeroja deri në datën e leximit. Me anë të kësaj metode, pjesa më e madhe e konsumatorëve do të lirohen nga bllok-tarifa, edhe pse kanë shpenzim mbi 800 kWh”, thuhet në sqarimin e KEDS-it.

Me këtë metodologji të propozuar nga KESCO-ja është pajtuar edhe ZRRE-ja.

“Konsumatorët do të njoftohen lidhur me shpenzimin me tarifa të vjetra dhe të reja në faturat e fundit që do t’i pranojnë gjatë ditëve në vijim. Pastaj, konsumi që fillon pas dërgimit të faturës së ardhshme e tutje do të fillojë të njehsohet me tarifa të reja”, bëhet e ditur në sqarimin e KEDS-it.

Ndërkohë, të hënën pas mbledhjes së Bordit të ZRRE-së, kryesuesi i Bordit, Ymer Fejzullahu, ka thënë se tarifat e reja llogariten nga data 9 shkurt, ashtu siç edhe kishte paraparë vendimi.

“E kemi thënë edhe në takimin që e kemi pasur me ta (KESCO), që vendimi hyn në fuqi prej datës 9 shkurt. Është obligim i KESCO-s që ta implementojë atë vendim, sipas vendimit të Bordit të ZREE-së”, ka thënë Fejzullahu.

Ani se vendimi i ZRRE-së ka hyrë në fuqi më 9 shkurt, ai nuk është publikuar ende nga kjo zyrë.

“Sipas legjislacionit në fuqi, ky vendim duhet të publikohet brenda 30 ditësh. Jemi zotuar që ky vendim të publikohet gjatë kësaj jave”, ka bërë të ditur Fejzullahu.

I pyetur nëse janë rritur tarifat për konsumatorët që shpenzojnë më pak se 800 kilovatë dhe për bizneset, Fejzullahu ka thënë se nëse nuk do të kishte subvencionim nga Qeveria, atëherë do të kishte shtrenjtim edhe për këta konsumatorë.

ZRRE-ja gjatë mbledhjes së Bordit ka shqyrtuar edhe ankesa të konsumatorëve. Për këtë Fejzullahu ka thënë se pas faturimit të energjisë me tarifa të reja pritet që të rritet numri i ankesave të konsumatorëve.

Në tarifat e reja të energjisë parashihet që konsumatorët, të cilët e kalojnë pragun e shpenzimit prej 800 kilovatësh, do të paguajnë 12.5 centë për tarifën e lartë dhe 5.9 centë për tarifën e ulët. Kjo për kilovatët e konsumuar mbi pragun prej 800 kilovatësh.

Në mbledhje, ZRRE-ja ka marrë vendim që tarifat të zbriten për ngrohtoren e qytetit të Gjakovës, për rreth 7 për qind.

Partia Socialdemokrate kishte protestuar të hënën brenda zyrave të ZRRE-së shkaku i vendosjes së tarifave të reja dhe mospublikimin e vendimit lidhur me to, me ç’rast janë ndërmarrë edhe arrestime. Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, dhe tre aktivistë të tjerë janë liruar të mërkurën nga paraburgimi, teksa dy aktivistë të tjerë vazhdojnë që të jenë në paraburgim lidhur me rastin.

Ndërkaq Bordi Rregullativ i Komunitetit të Energjisë (ECRB) i ka rikujtuar autoritetet në Kosovë që të sigurojnë kushte që ZRRE-ja ta ushtrojë detyrën e vet, në mënyrë të pavarur dhe pa ndonjë presion apo ndikim politik.

Bordi i ZRRE-së të mërkurën ia ka vazhduar licencën për furnizim me energji elektrike kompanisë sllovene “Interenergo” edhe për disa vjet. Sipas ZRRE-së, kompania i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara për vazhdim të licencës.

Afrim Ajvazi, udhëheqës i departamentit ligjor dhe të licencimit në ZRRE, ka thënë se kontratës i skadon afati në fund të muajit shkurt dhe se në përputhje me legjislacionin në fuqi, kjo kompani ka aplikuar gjashtë muaj përpara skadimit të kontratës, siç edhe kërkohet.

“Është kompani me seli në Slloveni, ndërsa ka themeluar kompaninë edhe në Kosovë. Kjo kompani edhe është e licencuar për tregim të energjisë elektrike në Kosovë. Licenca është lëshuar më 27 shkurt 2017 dhe skadon më 26 shkurt 2022. Në përputhje me legjislacionin në fuqi ka aplikuar 6 muaj përpara, ashtu si kërkohet për vazhdim të licencës”, ka thënë ai.

Bordi ka lëshuar autorizimet për vetëkonsum edhe për 7 gjeneratorë për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet fotovoltaike/solare, në kapacitet prej 440.4 kilovatësh.