Arbëri

Çitaku: Serbia s’e ka fuqinë e Rusisë për ta destabilizuar Ballkanin

Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, deklaroi se Serbia nuk e ka fuqinë e Rusisë për ta destabilizuar Ballkanin Perëndimor, siç po tentojnë rusët në Ukrainë.

Ajo deklaroi në “Sonte Java me Rronin” në KTV se Serbia mund të jetë destruktive, mirëpo rrethanat gjeopolitike dhe historike në Ballkan, nuk janë të njëjta me ato në kufirin ruso-ukrainas.

“Unë nuk besoj që do të ketë përshkallëzim në Ballkan. Serbia mund të jetë destruktive sa Rusia po s’e ka fuqinë e Rusinë., Është edhe kontekst gjeopolitik e historik, Mali i Zi është anëtar i NATO-s, edhe reagimi do të ishte tjetër. Nëse Serbia deklaron se do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, pasojat për të do të ishin fatale”, deklaroi Çitaku.

Duke folur për tensionet e krijuara në Ukrainë, Çitaku tha se lufta nuk i konvenon Rusisë.

“Mendoj që lufta nuk i konvenon as Rusisë, nuk i konvenon një Ukrainë e pushtuar. Ata duan një Ukrainë të nënshtruar, që dirigjohet nga Moska, pa pasur nevojë të dërgohen ushtarë për të vdekur”.

Sipas saj, Kosova duhet të jetë e kujdesshme në promovimin e saj si dhe aleancat që i ka me shtetet e tjera duhet t’i mirëmbajë.

Ne duhet të jemi të kujdesshëm, të jemi aktivë në promovimin e Kosovës. Çështja e armatosjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) është e paraparë, e dizajnuar në planin e rishikimit të sektorit të sigurisë. Ajo që do të bëhet në mënyrë graduale. Kosova duhet urgjentisht ta intensifikojë dialogun me NATO-n, meqë e kemi ushtrinë, të shohim dhe të punojmë më shumë drejt arritjes së partneritetit për paqe. Me NATO-n si hap i parë drejt NATO-s”, deklaroi ish-ambasadorja.

LEXO EDHE: Gazetarja nga Ukraina: Rusia duhet të ketë frikë nga ne