Arbëri

Osmani përpiqet të bindë shtetin skeptik për vizat: Kosova i ka plotësuar kriteret

Kosova tashmë ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave, ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një takim me ambasadoren e Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo, si përfaqësuese e vendit skeptik për liberalizimin e vizave.

Në takimin që kanë zhvilluar sot, sipas komunikatës nga Presidenca, Osmani ka shprehur shpresën se Kosova do ta ketë mbështetjen e shtetit holandez për liberalizim.

Sipas Osmanit, është radha që Bashkimi Evropian ta mbajë fjalën ndaj qytetarëve të Kosovës.

Në takim është diskutuar edhe për zhvillimet tjera në rajon dhe nevojën e integrimin të shteteve të rajonit në Bashkimin Evropian.

“Presidentja Osmani dhe ambasadorja Lobbezoo diskutuan edhe për bashkëpunimin politik dhe ekonomik ndërmjet Holandës dhe Kosovës. Presidentja Osmani ka potencuar se Kosova ka bërë hapa përmbajtësor në sundimin e ligjit dhe krijimin e mjedisit të përshtatshëm për investitorët e huaj”, thuhet në njoftim.

Lobbezoo ia ka dorëzuar Osmanit telegramin e urimit të mbretit të Holandës për 14-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.