Arbëri

Qeveria me strategji për njohje të reja, “s’ka më moratorium”

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës ka hartuar strategji për njohje të reja e se shumë shpejt pritet që Kosova të vendosë edhe marrëdhënie bilaterale me disa shtete, ka bërë të ditur zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, në një tryezë diskutimi të organizatës “PIPS”.

Në këtë diskutim, ai ka thënë se më s’ka moratorium për anëtarësim në organizata ndërkombëtare e për njohje të reja, siç ishte vendosur për një vit më 4 shtator të vitit 2020 me marrëveshjen e zotimeve që Kosova dhe Serbia patën nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, para ish-presidentit amerikan Donald Trump.

“Kemi vendosur një listë prioritetesh dhe kur të është koha e duhur do të aplikojmë”, ka thënë Ahmeti të martën.

Sipas tij, në njëvjeçarin e parë të Qeverisë Kurti në diplomaci, qëllimi ka qenë më shumë te funksionalizimi dhe riorganizimi i Ministrisë së Jashtme.

Në zotimet e nënshkruara në Washington, Serbia për një vit ishte zotuar që të ndalte fushatën e çnjohjeve të Kosovës, ndërsa Kosova të përpjekjeve për anëtarësime në organizata ndërkombëtare.

SHBA-ja ka kërkuar vazhdimin e atyre zotimeve, por ka munguar përgjigja institucionale.