Arbëri

Krasniqi për Qeverinë Kurti: E paaftë, por e fortë në numra

Descriptive Text

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Qeveria Kurti 2 nuk ka vizion, as program e agjendë, por veç propagandë.

Krasniqi ka shkruar në Facebook në njëvjetorin e zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë, ku Lëvizja Vetëvendosje fitoi bindshëm me mbi 50 për qind të votave. Ai e ka quajtur Qeverinë Kurti të paaftë, por të fortë në numra. 

“Sot, kur mbushet një vit nga mbajtja e zgjedhjeve të fundit parlamentare, të gjithë jemi dëshmitarë se çfarë prodhon një impuls - prapa të cilit nuk ka as vizion, as program, as agjendë, as zhvillim, as integrim, as punësim, por veç propagandë. Me Albin Kurtin që sot qeveris Kosovën, pasi më 14 shkurt, një vit më parë, qytetarët u përcaktuan për një momentum tjetër - duke i dhënë një mbështetje të madhe impulsive Vetëvendosjes, marrëdhënia ndërmjet pushtetit dhe shtetit është shndërruar në marrëdhënie të shtetit në funksion të pushtetit. Ekonomia që u trumbetua se do jetë e lirë dhe e drejtë, ka stagnuar dhe s’po arrin të kultivohet as si e drejtë, as si e lirë. Arsimi që premtohej të ishte konkurrent, vazhdon të jetë konkurrent vetëm si vlerë monetare në tregun e dijes. Politika e jashtme që do të duhej ta shpërthente kinse-izolimin e Kosovës, si me mjeshtri aritmetike ka arritur ta izolojë Kosovën totalisht. Asnjë projekt zhvillimor s’ka nisur, ndërsa Qeveria ka pamundësuar nisjen edhe të projekteve zhvillimore të sektorit privat. Çmimet janë rritur dhe kanë vështirësuar jetën e qytetarëve, përderisa pagat janë cunguar e familjet kosovare janë ngarkuar së fundmi edhe me faturën e shtrenjtuar të energjisë elektrike”, ka shkruar Krasniqi. " Lista e zhgënjimeve është e gjatë. Nga kjo atmosferë e zymtë, me një Qeveri të paaftë, por të fortë në numra, Kosova po vendnumëron. Dhe, është vetëm viti i parë i kësaj qeverisjeje shterpë". 

Ai ka shtuar se gjatë këtij njëvjeçari ka filluar ikja masive e të rinjve nga Kosova. Ai ka thënë se shpreson që Qeveria Kurti të mos bëjë dëme të pariparueshme për Kosovën.

“Më 14 shkurt 2021, PDK-ja nuk e gjeti momentin e saj, por ato zgjedhje ishin moment i ri edhe për PDK-në. Ne u jemi rikthyer fuqishëm qytetarëve në zgjedhjet lokale. E me vizionin tonë të palëkundur për Kosovën e zhvilluar, pa dyshim se qytetarët do t’i rikthehen fuqishëm PDK-së, si adresë e parë politike, kurdo që mbahen zgjedhjet tjera nacionale. Të shpresojmë se deri atëherë, kjo Qeveri, përderisa s’ka fuqi t’i bëjë kurrfarë dobie Kosovës, së paku të përpiqet që mos t’i bëjë ndonjë dëm të pariparueshëm vendit tonë”, ka shkruar Krasniqi.