Arbëri

MPJD-ja u bën thirrje kosovarëve të largohen nga Ukraina

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje qytetarëve kosovarë që të largohen nga Ukraina.

Ministria shkroi në Facebook se kosovarët duhet të largohen pas rritjes së tensioneve mes Rusisë dhe Ukrasinës, derisa ftoi gjithashtu që të mos udhëtohet drejt Ukrainës.

“Pas rritjes dramatike të tensioneve mes Rusisë dhe Ukrainës, të shkaktuara nga prania dhe lëvizjet e mëdha të trupave ruse në afërsi të kufirit me Ukrainën, tashmë nuk mund të përjashtohet më, fillimi i një konflikti të hapur të armatosur. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës iu bën thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që të mos udhëtojnë drejt Ukrainës dhe nëse ndodhen atje, të largohen sa më parë. Për informacione aktuale dhe ndihmë konkrete, qytetarët e Republikës së Kosovës që ndodhen në Ukrainë mund të kontaktojnë Ambasadën e Kosovës në Pragë në numrin: + 420 257 217 775 ose në adresën e emailit: embassy.cz.republic@rks-gov.net”, thuhet në njoftimin e plotë.

Tensionet për një luftë mes Rusisë dhe Ukrainës janë rritur ditëve të fundit. Shtetet perëndimore po ashtu u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre të largohen nga Ukraina.