Arbëri

Grupi “Asnji cent më shumë” proteston sërish kundër shtrenjtimit të rrymës

Grupi organizativ i protestës "Asnji cent ma shumë" do të protestojë kundër vendimit të ZRRE-së për rrymë, më 22 shkurt nga ora 12:00. Protesta do të mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti”, ka njoftuar grupi përmes një komunikatë.

Ata kanë ftuar qytetarët që të bashkohen në protestën e të martës, për të kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë.

“Nga 9 shkurti 2022, me vendimin e ZRrE-së për vendosjen e bllok tarifës, çmimi i rrymës është shumëfishuar. Nëse një ekonomi familjare ka shpenzuar mbi 800 kËh rrymë, çmimi i energjisë elektrike do t’i rritet nga 40% deri në 130%. Një pjesë të kësaj rritjeje ne do e paguajmë direkt përmes faturës së rregullt e pjesën tjetër do e paguajmë përmes parasë tonë publike. Kjo pasi që Qeveria ka vendosur që 90 milionë euro tonat t'i shkojnë KEDS-it përmes subvencionimit. Në të gjitha format, ne po paguajmë që KEDS e KESCO të vazhdojnë ta rrisin fitimin edhe në kohë krize”, thuhet në komunikatën e grupit protestues.

Sipas tyre, vendimi “i shkon për shtat veç sektorit privat, i cili vazhdon të pasurohet, pavarësisht krizave”.

Organizatorët thonë se vendimi e ka përfundimin varfërimin e shtresave të ulëta.

“KEDS-it nuk i mjaftojnë 17 milion euro fitim në vit por e ka bërë argat ZRrE-në dhe Qeverinë e Kosovës që nga ky vit kësaj kompanie private t’i shumëfishohet fitimi”.

Ndërsa paraqiti dy kërkesa kryesore: Anulimi i vendimit të ZRrE-së për vendosjen e bllok tarifës; Nacionalizimi i KEDS-it.